Albert Vataj /Këto janë disa prej kryeveprave të Mikelangjelos. Ai ishte artist, nuk ishte perëndi, por krijimin ai e ngjiti aq lart sa asnjë tokësor tjetë nuk mundi.
E hyjnizoi artin, duke mbushur frymorët me ajrin etern, dhe duke i pavdeksuar ata.
Veprat e tij jane si altarët ku ne përulemi dhe lutemi, që fjala të mbushet me shpirtin e përjetësisë, duke i pëshpëritur brezave për vullnetin e shenjt të mrekullimit që na bekon me adhurim.
Mikelangjelo Buonarroti, gjenia që preku kufijtë e përjetësisë me dalten e tij, mbetet një ndër artistët më madhështorë të historisë njerëzore. Për të, guri nuk ishte thjesht një masë e ftohtë dhe e pandjeshme, por një burg që mbante brenda vetes mite, figura mitologjike dhe frymëzime hyjnore. Me talentin e tij të pakrahasueshëm, ai nuk i krijoi këto figura nga hiçi, por i “ç’burgosi” nga brendësia e shkëmbit, sikur ato të kishin qenë gjithnjë aty, duke pritur durueshëm prekjen e duarve të tij.
Në duart e Mikelangjelos, guri u bë jetë. Ai nuk gdhendi thjesht forma, por “nxori në pah shpirtin” që dukej se fshihej në çdo damar të mermerit. David-i, Moisiu, Pietà dhe mijëra detaje të tjerë janë dëshmi e kësaj fuqie transformuese, ku mitet u kthyen në një realitet të përjetshëm, duke qëndruar përballë kohës si dëshmi e gjenialitetit dhe shpirtit të tij krijues.
Mikelangjelo na mëson se arti nuk është vetëm një proces krijimi, por një akt çlirimi, një thirrje për të nxjerrë në dritë atë që fshihet në thellësi të materies dhe mendjes. Kështu, ai mbetet jo vetëm një skulptor i madh, por edhe një simbol i përjetësisë, i frymëzimit të pashtershëm dhe i fuqisë për të parë përtej sipërfaqes.