MENU
klinika

“Dëshmi e jetës dhe vuajtjeve...”

Muze për të mbijetuarit e dhunës s*ksuale gjatë luftës në Kosovë

27.11.2024 - 14:43

Rrëfime personale, dëshmi të mbledhura. Muzeu i ri ‘Çast’ në Kosovë kujton sakrificat dhe vuajtjet e mijëra të mbijetuarve që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës.

Prishtina ka tani një muze më shumë. Muzeun “Çast” për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke sjellë në pah disa nga rrëfimet e pa dëgjuara të rreth 20 mijë grave dhe burrave të dhunuar nga forcat serbe në periudhën e viteve 1998-1999. Muzeu synon të hedhë dritë mbi historitë e të mbijetuarve, të dokumentuara përmes tregimeve te shkruara personale dhe artefakteve që pasqyrojnë përvojat e individëve dhe komuniteteve të prekura, si dhe instalacionet artistike edukative dhe ndërgjegjësuese. E gjithë kjo për të treguar kuptimin e dhunës seksuale dhe efektet e saj afatgjata mbi individët dhe shoqërinë.

Sende dhe veshje – Dëshmi konkrete
Përurimi i muzeut “Çast”, u bë përmes një bashkëpunimi mes Fondacionit Jahjaga, i themeluar nga ish-presidentja e Kosovës dhe Ambasada Gjermane në Prishtinë. Në një hapësirë të vogël që ngjason me një labirinth vuajtjesh, shihet një shall me të cilin një grua mbështolli barkun për të fshehur shtatzëninë, një xhaketë që një grua tjetër mbante veshur ditën e dhunimit dhe një fustan i shqyer, janë vetëm disa nga dëshmitë e dhimbshme të ekspozuara në muzeun e parë të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.


Kuratorja e muzeut, Eliza Hoxha, theksoi rëndësinë e kësaj hapësire të vogël “për të nxitur reflektimin dhe njohjen e dhimbjes që kanë përjetuar të mbijetuarit”. “Pse Çast? Në fakt, jeta jonë është një grumbull momentesh. Ka qenë një moment që këtyre të mbijetuarve u ka ndryshuar jetën përgjithmonë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Më vonë shoqëria nuk ka bërë sa duhet për t’i integruar të mbijetuarit dhe për të njohur vuajtjet e tyre. Nuk ua kemi njohur dhimbjen dhe nuk u kemi dhënë mundësi mjaftueshëm që ato të marrin jetën në duart e tyre”, tha Hoxha.

Ideatorja e hapjes së muzeut dhe themeluesja e fondacionit “Jahjaga”, ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, vuri theksin te roli i muzeut si një dëshmi e fuqishme e dhimbjes dhe rezistencës. Sipas saj, ky muze është një dëshmi e jetës dhe vuajtjeve të atyre që për një kohë të gjatë janë lënë në harresë. “Ata nuk ishin viktima, ata janë heronjtë e heshtur të historisë sonë, që sot më në fund gjejnë vendin e merituar”.


Më shumë se një muze

“Hapim dyert e një hapësire që do të shërbejë si një gur themeli në ndërtimin e kujtesës sonë kolektive. Muzeu që inaugurojmë është një dëshmi e jetës dhe vuajtjeve të atyre që për një kohë të gjatë janë lënë në harresë. Kjo hapësirë është më shumë sesa një muze, është një amanet që ne i lëmë brezave që vijnë”, tha Jahjaga. Sipas ish presidentes, muzeu përfaqëson sakrificën, guximin dhe qëndresën e një grupi njerëzish, trupat e të cilëve u shndërruan në fushëbeteja gjatë luftës. “Zemra më dhemb kur mendoj se për kaq shumë kohë, rrëfimet e të mbijetuarve kanë mbetur të heshtura, të mbyllura brenda mureve të zemrave të tyre, ose më keq akoma, të stigmatizuara nga një shoqëri që shpesh ka zgjedhur të kthejë kokën anash. Më rëndohet zemra kur mendoj për ata dhe ato që e kanë marrë me vete këtë barrë në varr, pa mundur të ndajnë dhimbjen e tyre, pa parë drejtësi, pa parë dritë”, u shpreh mes emocionesh Jahjaga.


Mbështetje gjermane për hapjen e muzeut

Hapja e Muzeut “Çast” u mundësua me mbështetjen gjermane. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, u shpreh se “lufta për të mbijetuarit e dhunës seksuale vazhdon ende”. “Lufta në Kosovë ka përfunduar 25 vjet më parë, mirëpo vragët e saj mbeten. Shumica e të mbijetuarve ende nuk flasin për atë që kanë përjetuar. Me këtë muze, Kosova po merr një hap jetësor drejt konfrontimit me të shkuarën dhe promovimit të pajtimit”, tha ambasadori Rohde.

Muzeu për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë do të lëvizë edhe nëpër botë që përmes këtyre rrëfimeve, që të bëhet e ditur e kaluara e Kosovës dhe njerëzve të saj. Ish-presidentja Jahjaga inkurajoi të gjitha gratë dhe burrat që kanë përjetuar këtë formë dhune, të aplikojnë për statusin e tyre dhe të mbesin të dokumentuar në historinë e Kosovës.


Sipas Qendrës Kosovare për Rehabilimin e të Mbijetuarve të Torturës, numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës llogaritet të jetë rreth 20 mijë vetë. Sipas ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që angazhohet për drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës, numri i personave që kanë dorëzuar aplikacionet për verifikimin e statusit të personave të dhunuar seksualisht është shumë i vogël, jo më shumë se 1500. Qeveria e Kosovës gjashtë vjet më parë filloi me procesin e regjistrimit të statusit të individëve të dhunuar dhe verifikimin e tyre dhe ky numër konsiderohet i vogël krahasuar me shifrën prej 20 mijë viktimave të dhunës seksuale./DW