MENU
klinika

Qiradhënia e pasurisë shtetërore

Ndryshimet për strategjikët dhe projektet 1 euro

15.11.2024 - 20:00

Kalimi i pasurisë shtetërore tek privatët përmes qiradhënies, enfiteozës apo kontratave të tjera përfshirë ato me çmimi simbolik 1 euro do t’i nënshtrohet praktikave të rishikuara.

Një vendim i fundit i qeverisë ka ndryshuar vendimin e vitit 2014 që ka në objekt pikërisht këtë procedurë duke bërë disa rishikime që nisin nga investimet strategjike e deri tek rastet kur në pasurinë shtetërore që i kalon privatet ka ndërtime që kufizojnë zhvillimin.

Konkretisht sa i takon investimeve strategjike vendimi ka shtuar një pikë të re në pjesën e parë të tij ku pas shkronjës “g” shtohet ajo “gj”.

Konkretisht pika 5 për të cilën është bërë shtesa jep disa nënndarje për rastet e përjashtimit të konkurrimit për pasuritë shtetërore ku ndër të tjera janë pasuri me sipërfaqe deri në 200 m2 që jepen për afat 1 vjeçar, objekte që do të përdoren për aktivitete të tjera shtetërore, marrëveshjet minerare, ato që preken nga kontrata koncesionare.

Shtesa bën që tashmë edhe tokat që janë dhënë për përdorim për investime strategjike përjashtohen nga konkurrimi. Kjo vlen vetëm për fazën e parë pasi nëse investitori kërkon që të zgjerojë më tej investimin ai duhet t’i nënshtrohet konkurrimit.

“Përjashtohen nga konkurrimi gj)dhënia me qira ose enfiteozë e pasurive shtetërore subjekteve private në rastin kur Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar statusin “Investim strategjik” për projektin e investimit me potencial strategjik, si dhe masën mbështetëse për vënien në dispozicion të pasurisë shtetërore. Ndryshimet e mëvonshme në kontratë nuk i nënshtrohen kufizimeve të shkronjës “e”, të pikës 5, të kësaj ndarjeje” thuhet në vendimin e qeverisë të datës 13 nëntor.

Në ndarjen V të vendimit qeveria rishikon tashmë pjesën që lidhet me njësitë e qeverisjes vendore. Këto të fundit në rastet kur kanë një projekt që kërkon një kontratë qiraje apo enfiteozë duhet të bëjnë kërkesë pranë Ministrisë përgjegjëse për ekonominë dhe është kjo e fundit që e çon këtë kërkesë në qeveri.

“Në rastet kur propozimi për kontratat e qirasë ose të enfiteozës vjen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, propozimi për Këshillin e Ministrave bëhet nga ministri përgjegjës për ekonominë. Ministria përgjegjëse për ekonominë kryen të gjitha procedurat sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

Propozimi shoqërohet me projektkontratën e negociuar ndërmjet subjektit dhe ministrisë përgjegjëse për ekonominë, bazuar në kontratën tip të këtij vendimi. Propozimi përmban të gjithë dokumentacionin e kërkuar, të përcaktuar në këtë vendim. Në rast se ky dokumentacion nuk është i plotë ose ka mangësi kthehet për plotësim ose rishqyrtim në institucionin propozues” thuhet në vendim.

Pika që lidhet me kontratat 1 euro për disa aktivitete specifike është riformuluar. Ku tashmë ministria e ekonomisë i propozon kryeministrit që të jepet kontratë me çmim simbolik 1 euro pa konkurrim “për kontratat e qirasë ose të enfiteozës, me nivele investimi mbi 100 000 000 (njëqind milionë) lekë, me qëllim ushtrimin e veprimtarive në fushën e sportit, kulturës, turizmit, inovacionit apo që ndikojnë për zgjidhjen e problemeve sociale ose për strehimin dhe përkujdesjen e të moshuarve;”.

Po kështu ministria për ekonominë propozon dhënien me qira 1 euro të pasurisë shtetërore për rastet e investimeve strategjike që kanë marrë miratim paraprak në Komitetin e Investimeve Strategjike.

“Ministria përgjegjëse për ekonominë propozon në Këshillin e Ministrave dhënien me qira/enfiteozë të pasurisë shtetërore pa konkurrim dhe me tarifën simbolike 1 euro/kontrata për projekte për të cilat Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) ka miratuar vënien në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore, si masë mbështetëse për realizimin e investimit, sipas ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ka ngarkuar ministrinë përgjegjëse për ekonominë për lidhjen e kontratës me tarifën simbolike 1 euro/kontrata,”” thuhet në shtesën e re të pikës 3 të ndarjes V. /Monitor