Qeveria ka bërë ndryshime për procedurat e lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit për tokat në pronësi të shtetit, si dhe ka shtuar kategori ndërhyrjesh që nuk kanë nevojë të pajisen me leje ndërtimi. Sipas vendimit, për lejet e zhvillimit që miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, në rastet e aksesit në tokat në pronësi të shtetit, leja e zhvillimit përmban edhe aksesin në këto prona, pa pasur nevojë për një miratim nga pronari shtet. Përjashtim bëjnë pronat shtet për llojin e resursit “arë”, “ullishtë”, “pyll” dhe “kullotë”, që nënkupton se do të duhet miratimi.
Po ashtu, specifikohet se aksesi në këto prona pa miratim përfshin rastet kur ato nuk janë të zëna me objekt, nuk janë në administrim të institucioneve shtetërore, si dhe janë të patransferuara te njësitë e vetëqeverisjes vendore. I njëjti parashikim vlen edhe për lejet e ndërtimit të miratuara nga KKTU, që tashmë do të përmbajnë edhe aksesin në këto prona.
Paralelisht, sipas vendimit, ndërtimi i çative të pashfrytëzueshme në zonat rurale tashmë do të konsiderohet ndërhyrje që nuk kërkon pajisjen me leje ndërtimi, ndërkohë që Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit Brenda një muaji do të duhet të miratojë standardet teknike të nevojshme për ndërtimin e tyre.