MENU
klinika

Reportazh

Nisu me humb bukur në drejtim të Beratit magjik, Skraparit mahnitës…

11.11.2024 - 12:00

EDISON YPI/ Me humb shëmtut është kollaj. Bëhu morr, ose plesht, dhe u zhduke, u harrove, humbe, si deshe. Zotësia është me humb bukur, me u bo i pa kapshëm, i paarritshëm nga turmat, zhurmat, televizori, celulari, rrjetat sociale, mesazhet, emailat, mundësisht aq larg dhe aq ngatërrueshëm, sa nuk të vijnë dot në ndihmë me të nxjerr nga ku ke humbur bukur kamionat, traktorat, vinçat, buldozerat, tanket, helikopterat. Këtu rrotull, nuk mundesh me humb bukur. Duhet me u largu pak.

Nisu me humb bukur, për shembull, në drejtim të Beratit magjik, Skraparit mahnitës, Përmetit të fundbotshëm. Deri në Rrogozhinë, nuk mundesh me humb, as bukur as shëmtut. Ama sapo kalon urën e Rrogozhinës, aty fillon rrënqethja, aty nisin shpalosin hiret e tyre Darsia dhe Dumrea. Edhe te njëra edhe te tjetra, humb bukur, bie në dashuri me agimet, perëndimet, ngjyrat, aromat, cicërimat, mjegullat. Mirëpo Darsia dhe Dumrea janë të vogla. Humb si të duash, vjen e të kap për zverku celulari e të hedh te prroi. Të merr për flokësh televizori të përplas pas asfalti. Të merr për leckash emaili, të bën kosh brenda një kazani plehrash.

Nëpër Myzeqe mund të humbësh, madje dhe bukur. Halli se kënaqësia e humbjes bukur, zgjat pak. Të gjejnë kollaj të llaftarisur brenda ndonjë Kishe a Monasteri duke parë sytë e shenjtorve mbi mure nxjerrë me bajonetë për tu marrë dritën.

Mos e kthe kokën nga Roskoveci. Kryetarja e Roskovecit është një Circe si e Uliksit, që po të pa të kthen në gur, të guros. Kryetarja epike e Roskovecit që thotë “Ja do e bëj Roskovecin si Roterdamin, ja rashë e vdiqa” është një Sheherazade që të tregon për ëndrra që i kthen në realitet, për punët e saja. Duke e dëgjuar Sheherazaden si te “Një mijë e një netët”, humbet bukur nëpër ëndërra me Roskovecin si Milanua, Shqipëria si Zvicra.

Majtas-djathtas magjistarë dhe magjistrica, biznese nga më të ndryshmet, zgjasin duart me të tërheq nëpër humbje. Mos u kthe. Mos u dorzo. Janë humbje provizore të kufizuara në kohë dhe hapësirë. Je nis për humbje të madhe, humbje të bukur, nën qiell, nën diell, ku hyn i menduar dhe del i ndritur.

Në të majtë Sulova. Provoje me humb bukur në Sulovë.

Artan Kërluku banon në Lumas. Rrugën për në Lumas e ke të asfaltuar. Po s’ta mori mendja se humb bukur aty rrotull, ngjitu përpjetë te Katërlisat, pastaj zbrit në Tunjë. Deri poshtë te ura mbi Devoll, e pamundur të mos gjesh një vend ku të humbësh bukur.

Para Lumasit, Lapardhatë janë dy, njëra më e bukur dhe më e begatë se tjetra. Shtëpi, vila, kodra me ullishta, vreshta, përrua që rrjedh, punishte vaji pa numurim.

Në Lumas të gjithë e njohin Kërlukun dhe numurin e tij të gjithë sulovarët llërëpërveshur ta japin.

Jo djathtas se del në Katërlis. Majtas për në Sinec, ku ndodhet Kërluku. Ara, traktora, ullinj, vila, përrua. Luginëza e Sinecit të thith si tubi i fshesarit gjethet e Vjeshtës. Lere për një moment Kërlukun. Bëj djathtas për të humbur bukur në atë luginëz se edhe humbja ka humbjet e saja. Por mos u largo shumë. Nja dy kilometra, dhe kthehu. Ndërkohë, sulovari që të dha celularin e Kërlukut, dhe të pa duke humbur nëpër luginëz, i merakosur ka njoftuar Kërlukun: kështu-kështu një miku yt paksa i çartallosur. Një tu kthyer te rrugëza për te Kërluku, befas përballë do të dali një furgon që e nget Kërluku. Rruga e ngushtë nuk i nxë të dyja makinat. Kërluku, si vendali që i nuhat hilet për të humbur të mysafirit, bën indietro nja 1 kilometër.

Ndal Kërluku. Ndal dhe ti. Ja sarajet e Kërlukut.

Jo, nuk janë saraje. Është një kështjellëz mondane. Si ato të lordave anglezë, kontave rusë, francezë, italianë. Që të neveritur nga ndërlikimet e tollovisë urbane, shkojnë të humbin bukur nëpër kështjellëza të ndërtuara enkas. Hyrja me qiparizë anash në këtë kështjellëz, pastaj vetë kështjellëza, do të lenë pa frymë.

Kopësht me pemë frutore, shpezë, basen i kaltër, shezlongje, shtretër për mysafirë nga gjithë bota, bodrum për verëra dhe rakira, armë gjahu, takëme për kuaj, piano, Kërluku duke luajtur “Erik Satie Gnossienne 1”. Duke e dëgjuar, bindesh se Kërluku ka ardhur këtu nga Milano për asgjë tjetër veçse për të humbur bukur. Dhe ja ka arritur. Te Kërluku bujtin të huaj nga bota, gjermanë, italianë, amerikanë, anglezë, japonezë. Të gjithë për të humbur bukur. Pasi ta kesh parë mirë e mirë kështjellëzën, lutju Kërlukut të shkoni deri diku në luginën përtej kështjellëzës. Me një shpresë të fshehtë për të humbur bukur mes natyrës, Kërluku do pranojë me kënaqësi.

Aroma, ngjyra, shushurima, ujra, qiell i kaltër, shtëpiza, bagëti që kullosin, një marramendje që s’ka të sosur.

Deri pak më tutje se kështjellëza e Kërlukut, rruga s’është e keqe. Por aty nis e keqsohet. Ngushtohet rruga dhe thellohen vrragat.

Asnjë kalimtar. As tutje as tëhu. Mbi rrugë ka shenja gomash, por për makinë s’bëhet fjalë. Shtëpi të rralla mbi maja kodrash. Asnjë oxhak me tym. Ca të lehura qensh, s’kuptohet nga vinë. Heshtja shtohet. Dëgjohen shushurimat e pyllit.

Mbi një sop anës rrugës, një zonjë.

Zonja Lefteria, kështu quhet, thotë se ka korent pandërprerje. Jetojnë me bagëti dhe ullinj. Fëmijët i kanë jashtë. Burrin e ka artist. Çoban me gunë, krrabë, dhe fyell. Veç një ankesë ka zonja. Një ankesë që të lë gojëhapur: Rruga e paasfaltuar e pengon të vejë të marri, luaj vendit, qetësues, diazepam, valium. Me gjasa, Zonja përjeton ankthe. Ndoshta dhe panike. Pyete zonjën nëse kjo rrugë të nxjerr në anën veriore të Sulovës, diku mes Urës së Gostimes dhe Kuçovës. Zonja do bëjë Bè me kokën nga qielli se kjo rrugë nuk të çon asgjëkundi.

Lere zonjën e deprimuar në humbjen e vet bukolike, dhe vazhdo drejt humbjes tënde të bukur. Disa kilometra rrugë e ngushë me gropa që sa vjen e shpeshtohen dhe kthesa të forta.

Ja dy shtëpi në faqe të kodrës: një e vjetër, një e re që po ndërtohet. Pranë shtëpive një rrethrrotullim baltrash. Vazhdo te dy shtëpitë. Shtëpinë e re e ndërton pronari i shtëpisë së vjetër, Hamiti, me një usta. Hamiti, jo vetëm që nuk shkulet nga rrënjët e të parëve, por me shtëpinë e re, ato rrënjë i ngul edhe më thellë në tokën e vet. Kërluku i humbur bukur në Lumas, do kënaqet me muhabet me Hamitin humbur edhe më bukur në Luzaj. Gjatë, bisedës mes dy të humburve bukur, Hamiti i bën të ditur Kërlukut, se mëhallat me nga tre a katër apo më tepër shtëpi të Luzajt, thirren sot e kësaj dite me emra të militarizuar që të kallin tmerrin mbetur nga koha e Diktaturës: Brigada e parë, Brigada e tretë, e dytë, e pestë etj. Sidoqoftë, në Luzaj, bunkerë s’ka. Bereqaves. Marrëzia militare s’paska qenë totale. Hamiti, që nuk i duhet valiumi, nuk është aq i prerë sa Zonjë Lefteria në lidhje me mungesën e daljes së kësaj rruge. Celulari ka ende valë. Google Maps nuk përgjigjet. Vajte për të humbur. Vazhdo me intuitë.

Rruga ngushtohet. Kthesat shtohen. Vrragat thellohen. Shkurret anës rrugës dendësohen. Gjurmët e gomave zhduken. Humbja bukur duket afër.

Por s’të lë Xhemili të humbësh. Xhemili ka ardhur nga Brigada e Parë sulmuese ku banon, te Brigada e Dytë e lavdishme ku ka ullinjtë, me një derr Mitrubishi. Familjarët e tij po mbledhin ullinj. Xhemili po dredh një duhan. Xhemili është një rrughumbës apo humbrrugës i përbetuar. Me sigurinë dhe vendosmërinë e Kolombit se ekspedita e tij do arrinte patjetër në terra ferma, Xhemili, ky Kolomb shqiptar, thotë se kjo rrugë del diku.

Po se ku, Xhemili s’e di. Falënderoje Xhemilin për informacionin dhe karakterin prej eksploratori, dhe vazhdo.

Pas nja njëqind kthesash brenda një tuneli me shkurre dhe vraga rruge nga gjysmë metri të thella, ti dhe Kërluku do ndodheni ku as helikopterat e NATO-s nuk ju gjejnë dot ku keni humbur, dhe as tanket e saj nuk munden me ju nxjerr ku jeni futur. Në fakt, jeni ku deshët të ishit. Në mes të kurrkundit. Në qendër të boshit. Një pllangë qiell mbi kokë. Gëmusha të ngjeshura rretheqark. As Internet, as celular, as gravitacion. Keni rënë në mbretërinë e asgjësë. Mos u habitni. S’ju detyroi kush. Vet erdhët. Vet u krrujtët. Vet humbët. Që humbja të jetë e bukur, pra që mos me dalë kurrë nga fundosja brenda kësaj Brime të Zezë në dimensionin e katërt, përtej kohës, jashtë hapësirës, për tu sigiuruar që makina të mos lëvizi, që motorri të mos ndizet, duhet t’ia çani gomat makinës me thikë dhe ta godisni me çekiç kroskotin dhe ku i ka e ku s’i ka të gjitha elektronikat derisa t’ia bëni copa e çika. Por s’jeni aq trima. Prandaj vazhdoni.

Nja gjysëm ore pas daljes nga humbja bukur, duke u zhgërryer nëpër kthesa, vraga, baltra, gurë, kërcunj, shkëmbinj, kafshësh të ngordhura ose të ngrëna, te një qafë, më së fundi qytetërimi. Atje larg: Dumreja, dushknaja, Devolli, televizori, celulari, emaili.

Aty duket sikur mahnitja, marramendja, qefi, derdhja, me Sulovën e bukur mbaron. Mos u ngut. Përballë po vjen dikush me motor.

Është Veliu. Në brez mban një si jatagan ose kobure në këllëf. Është sharrë dore për krasitjen e ullinjve. Dhëmbët e mëdhenj të shndritshëm të sharrës të kallin tmerrin. Veliu me motor dhe sharrë në brez, pa ja kërkuar, me vullnetin e vet prej sulovari të mirë, do ju shoqërojë deri në një farë vendi, prejku, rrugën për më tutje me e gjet vetë, është e thjeshtë. Veliu para, ti dhe Kërluku pas.

Te një kthesë, befas Veliu ndal, dhe nga motori zbret. Aty, Veliu, me ton solemn thotë se këtu jemi ende te fshati Luzaj. Mëhalla quhet Brigada fitimtare, çlirimtare, e lavdishme, heroike, mbrojtëse, sulmuese, sovjetike, sumllastike, me numër kaq e aq.

O Veli të qofsha falë, po Luzaj paska qenë i gjatë sa Kili, o burrë i dheut. Prit tani kur në këtë vend ku humbëm bukur të na dalin para dy kiliqnë, Alliende dhe Pinochet. Alliende të na vari në litar për konservatorizëm të pashpirt. Pinochet të na rrjepi lëkurën për komunizëm shtazarak.

Vazhdon Veliu: Siç e shihni, kjo mëhallë, apo kjo Shtëpi Shpirtrash, është braktisur nga shpirtrat që kanë marrë arratinë nëpër botë.

Shtëpia e Shpirtrave të Sulovës, ku ferra ka ngrënë fshatin, është braktisur plotësisht. Shtëpive u kanë mbetur vetëm ca trarë të rrëzuar dhe mure të shembur. Ferrat dhe gëmushat kanë mbirë dhe janë harlisur edhe brenda shtëpive. Nuk duket si fshat që i janë hedhur ferrat sipër. Duket si ferrë që i kanë hedhur sipër rrënojat e një fshati.

Prej Shtëpisë së Shpirtrave të përdhunuar, mes ca kthesash dhe ullishtash, Sulova e bukur nudo mermeri porsangritur nga shtrati pas depërtimit, në një përpjekje të kotë për të mbuluar me duar vithet e fundbotëshme mos ja shohin depërtuesit e humbur bukur, shkon drejt lumit për të larë gjurmët e mëkatit.

Mund të kthehesh djathtas për nga Ura e Gostimes për Tiranë. Por duhet të kthesh Kërlukun ku e more, në Lumas. Për t’u kthyer nga u nisët në Lumas te kështjellëza, s’bëhet fjalë. Dy humbje të bukura brenda, dy harrime, dy fundosje, dy derdhje rrjesht, s’janë të mundura. Ktheje Kërlukun në mbretërinë e vet nga Kuçova.

Ku rruga kthen për Lapardha, Lumas, e përpjetë, Kërluku kërkon të marri furgonin. Lere Kërlukun në fatin e vet aristokratik, me piano, qiparize, Chopin, List, Erik Satie, e të tjera e të tjera humbje të bukura. Po vazhdove ta shoqërosh deri ku e more, pra deri te kështjellëza, shfaqet një rrezik. S’është çudi, ty dhe Kërlukut, si të çartallosur që jeni, tu teket të ngjiteni edhe një herë përpjetë kthesave, baltrave, ullinjve. Ku të takoni zonja që i kanë tërë të mirat, por u mungon asfalti të venë të marrin kollaj valiumin për të larguar ankthet dhe paniqet, sulovarë të çartun që nuk ikin në Paris e Londër të jetojnë poshtë urave por ndërtojnë shtëpira, nuk kanë më pak se 400 rrënjë ullinj dhe duan të humbin bukur. Por heronjtë janë të lodhur. Dy herë pa u ndalur Magelan rrotull Sulovës si rreth botës, është e pamundur.

Probleme me energjinë elektrike

OSHEE lë në terr 400 familje në Gjirokastër

Rama ndan pamjet e atmosferës festive

Saranda ndez dritat e festave!

Bashkia, njoftim të rëndësishëm për qytetarët

Vlora në pritje të reshjeve të dendura

Sa do paguajnë qytetarët

Rritet çmimi i ujit për 12 bashki

“Travel off Path”: Shqipëria, parajsa mesdhetare

Vlora, qyteti bregdetar i mbushur me brigje mahnitëse