MENU
klinika

“I duhet industrisë gjermane“

Pse ka nevojë Europa për Shqipërinë? Shkrimtari austriak: Rama, interesant!

02.11.2024 - 13:02

Shkrimtari austriak, Robert Menasse, në intervistë me DW për romanin e tij të fundit “Zgjerimi”, mbi Shqipërinë si vend kandidat e prirjet aktuale brenda BE-së.

Libri i shkrimtarit austriak, Robert Menasse, “Zgjerimi”, i cili është përkthyer edhe në gjuhën shqipe, u prezantua së fundmi në Tiranë dhe në Prishtinë. Romani flet për Shqipërinë si kandidate për anëtarësim në BE në kontrast me prirjet aktuale që mbizotërojnë në radhët e BE-së.

DW: Pse ka nevojë Evropa për Shqipërinë?

Ka shumë arsye. Për mua, arsyeja më e rëndësishme është se Ballkani Perëndimor thjesht i përket Evropës dhe gjithmonë është perceptuar si një rajon krizash. Nëse dikush këtu mund të sjellë paqe, ky është projekti i paqes së BE-së, sepse të gjitha kufijtë kombëtarë zhduken, krijohet një treg i përbashkët dhe gjithashtu është shumë i rëndësishëm një sistem i njëjtë ligjor. Ka dhe arsye të tjera, siç ka thënë zonja Merkel, Shqipëria ka rezervat më të mëdha të bakrit dhe kromit në Evropë dhe kjo i duhet industrisë gjermane, një arsye tjetër kjo që më bën të qesh…

DW: Pse libri quhet “Zgjerimi”?

Sepse ka të bëjë me vendet që duan të hyjnë në BE, ndërsa nga ana e BE-së, kjo shihet si zgjerim. Më interesoi të zbuloja si është të jetosh në këtë vend (në Shqipëri), si është mentaliteti, kultura etj. Në Shqipëri, ku shumica dërrmuese e popullsisë dëshiron të hyjë në BE, ndërsa ka anëtarë që shkelin ligjin evropian dhe bllokojnë zhvillimin evropian. Ky është një kundërshtim i tmerrshëm. Për më tepër, një arsye tjetër që më bindi për pranimin në BE është optimizmi i madh dhe dinamika që ndjeva aty, përkundër shteteve anëtare që sot janë shumë pesimiste, me frikëra dhe dyshime për të ardhmen. Një injeksion optimizmi do t’i bënte mirë BE-së.

DW: Pse keni përdorur në kopertinën e librit figurën e Skënderbeut ?

Skënderbeu është një figurë interesante. Historikisht është një hero evropian që ka luftuar kundër osmanëve dhe ka mbrojtur Perëndimin e krishterë. Në atë kohë, përmendore të tij kishte në shumë qytete të Evropës, por kur filloi krijimi i kombeve, ai u harrua, sepse nuk përfaqësonte një hero kombëtar. Më pas, ai u bë hero kombëtar në Shqipëri. Ishte i pari që bashkoi klane, grupe e fise etnike dhe kështu vendosi bazën për shtetësinë e Shqipërisë. Kjo dialektikë e heroit kombëtar evropian më interesonte.

DW: Shumë mendojnë se në protagonistët e librit keni përfshirë edhe kryeministrin shqiptar. A qëndron ky hamendësim?

Po, kryeministri shqiptar është kryeministri shqiptar. Në romanin tim është ai ashtu si në realitet. Të shpikja diçka tjetër do të ishte fëminore. Ai është një rast shumë interesant në politikën evropiane, sepse, me aq sa di, është i vetmi kryetar shteti që është edhe artist i njohur dhe ka artistë në ekipin e tij të këshilltarëve, gjë që është shumë e pazakontë dhe natyrisht që më tërhoqi interesin.

DW: BE-ja ka nevojë për reforma, por nuk është në gjendje t’i realizojë ato. A duhet të shtypë një buton “reset” para një zgjerimi të ri?

Nëse do të bëhej shpejt, padyshim do të ishte e dobishme. Por tani situata në BE është shumë e ndërlikuar. Zhvillimi evropian, që ishte menduar të tejkalonte nacionalizmin, tani është bllokuar nga rindezja e nacionalizmit në disa vende anëtare. Situata ka vetëm një rrugëdalje të mirë, ose një rrugë të tmerrshme. Rrugëdalja e mirë është të arrijmë ta rindërtojmë idenë e BE-së dhe ta ngulitim sërish në ndërgjegjen e qytetarëve evropianë, duke treguar se gjithçka e arritur deri tani ka përmirësuar jetën dhe paqen e të gjithë evropianëve. Kështu mund të realizohet reforma institucionale dhe mund të punohet për një Kushtetutë Evropiane. Nëse ndodh rruga e keqe dhe BE-ja shpërbëhet, atëherë do të pasojë mjerimi, dhe mund të ketë edhe luftë civile. Atëherë njerëzit do të thonë se kjo nuk duhej të kishte ndodhur kurrë dhe gjithçka do të fillojë nga e para./DW

Brenda shtëpisë së braktisur të Bashar al-Assadit!

Çfarë gjetën rebelët në shtëpinë e diktatorit sirian

“Duhet të koordinohen të gjitha institucionet”

Rama: Kuvendi, institucioni kyç për integrimin në BE

"Pa vullnetin e PS, SHBA dhe BE s’do ta kishin bërë Reformën në Drejtësi"

Rama u përgjigjet akuzave të opozitës: S’kemi kohë për të humbur!

Nga ‘takimi’ me alienët deri te lufta shkatërruese!

Baba Vanga bën parashikimin ‘e frikshmëm’ për 2025-n