Kryeminstri Edi Rama do të rikthehet në Greqi me turin e tij “Krenar për Shqipërinë”.
Sot në orën 11 me orën lokale, kryesocialisti do të takohet me shqiptarët që jetojnë në zonën e Selanikut.
Formati do të jetë i ngjashëm me takimin e Nju Jorkut ku pritet që kryeministri të ketë më shumë sesa një fjalim, ku do të flasë për votën e emigrantëve dhe qeverisjen e tij 12-vjeçare edhe të bashkëbisedojë me diasporën shqiptare në shtetin fqinj. Vetë ai postoi një lajmërim për takimin e Selanikut.
“Pasnesër do të rikthehem me një kënaqësi krejt të posaçme tek shqiptarët e Greqisë, këtë herë në Selanik, ku historia na ka lidhur me njëmijë fije dhe e sotmja na bashkon më shumë se asnjëherë me fqinjët tanë jugorë, si dy popuj europianë që edhe për pak vite do jenë krah për krah në Bashkimin Europian”
Kujtojmë se të shtunën e kaluar Rama ishte me shqiptarët e Nju Jorkut për turin e diasporës, teksa më parë ka qenë në Athinë dhe Milano.
Ndërkohë të dielën e 12 nëntorit është lajmëruar takimi i kryeministrit shqiptar me shqiptarët e Anglisë në Londër.