Këngëtarët, Pirro Çako dhe Arilena Ara, konkurruan në festivalin e Këngës Magjike me duetin “Zero Gradë”, por u tërhoqën nga gara pak orë para finales, duke mos dhënë asnjë shpjegim.
Pas përhapjes së lajmit për tërheqjen nga festivali të dy artistëve, reagoi producenti dhe prezantuesi Ardit Gjebrea, i cili deklaroi se Pirro Çako ishte sëmurë, ndaj nuk mund të performonin në natën finale.
Por, pas deklaratës së Ardit Gjebreas, ka reaguar edhe këngëtarja Arilena Ara e cila ka thumbuar producentin.
Në një postim në Instagram, artistja falenderoi fansat, ndërsa thumboi Ardit Gjebrean duke u shprehur se “urojmë që i gjithë ky suport e kujdes ndaj nesh t’ju kthehet veç në dashuri e shëndet, të cilat i gëzojmë të dy si kurrë më parë.”
“Përjetësisht falënderuese për kryeveprën që @pirrocako më dhuroi mua dhe gjithë publikut shqiptar dhe për ftesën që patëm për ta performuar së bashku.
Përjetësisht mirënjohëse JU! Ju që na dëgjuat, na komentuat, na duartrokitët! Mirënjohëse për kujdesin, dashurinë, emocionin, mbështjetjen, afeksionin ndaj nesh dhe këngës sonë, duke na bërë të shkrinim akujt e garës.
Urojmë që i gjithë ky suport e kujdes ndaj nesh t’ju kthehet veç në dashuri e shëndet, të cilat i gëzojmë të dy si kurrë më parë. Deri në takimin tjetër: “PLOT gradë” dashuri për ju”, shkroi Arilena Ara.
Dyshja ishin në duet së bashku dhe u përfolën si kandidatë fitues të Kënga Magjike. Ndërsa u përfol gjithashtu për fitues të paracaktuar.
Pak para nisjes së finales së Kënga Magjike, producenti Ardit Gjebrea tha se i vinte keq që Pirro Çako nuk do ishte në festival, sipas tij, për shkak se ishte sëmurë.
Për shkak se kënga është duet, tërheqja e Pirro Çakos sillte rrjedhimisht edhe atë të Arilena Arës, sipas producentit.
“E dëgjoni zërin tim? Edhe unë jam ftohur, por të paktën nuk do të këndoj. Për fat të keq, edhe Pirro është paqejf dhe për sa kohë që është në duet, më vjen keq që nuk do të jetë ky duet sonte në festival, por sëmundjes nuk ke ç’i bën”, tha ai.
Fituese e festivalit u shpall këngëtarja Rozana Radi me “Akoma” të cilën e performoi në duet me artistin grek Sany Dimitri.