MENU
klinika

"S‘kanë krijuar një model ekonomik pozitiv"

Skema e pensioneve, Andoni për deklaratat e Berishës: Janë larg realitetit

15.12.2024 - 14:51

Analisti Ben Andoni, i ftuar në një intervistë televizive, duke folur mbi deklaratat e Berishës për përmbysjen e skemës së pensioneve, i konsideroi arsyetimet të drejta, por tha se premtimet me afate tre mujore janë larg realitetit. Sipas Andonit si PS ashtu edhe PD nuk kanë krijuar një model ekonomik të mirëpërcaktuar. Ai vuri në dukje se logjika ekonomike kërkon një bazë të madhe kontributorësh për pensionet.

“Arsyetimi i z.Berisha ishte i drejtë sa i përket problematikave të pensioneve, është jashtëzakonisht i drejtë dhe objektiv. Por kur erdhi te pjesa e premtimeve duke përcaktuar si afat tremujorin, ju e dini që çdo qeveri bën një analizë 100 ditët e para, 200 ditët e para, shikon që realiteti është krejt tjetër. Z.Berisha ose s’e kupton ose bën sikur s’e kupton, sepse logjika ekonomike të kërkon një bazë të madhe kontributorësh për pensionet. Qeverisja socialiste s’kishte një model ekonomik të përcaktuar mirë, ashtu si paraardhësit e tyre. Në momentin që do kishte më shumë shqiptarë kontribuues dhe skema do ishte ndryshe, atëherë mund të bëje premtime të tilla. Vendet e rajonit kanë zhvillime shumë më të mëdha se tonat, më të kujdesshme dhe largpamëse.

E vetmja gjë që besohet është që konsumimi i socialistëve në mandatin e tretë është jashtëzakonisht i madh, me nivelin e korrupsionit, problematikat në administratë, është shumë larg premtimeve që ka bërë. Por z.Rama luan me diçka që Berisha dhe të tjerët e kanë pak të vështirë ta realizojnë, që është normaliteti. Kjo bie ndesh me atë që bëjnë demokratët 1 herë në tre javë me bllokimet e rrugëve. Shqipëria pa protesta dhe ka probleme të mëdha me qarkullimin. Këto gabime të tyre, që janë skajore, por janë substanciale, Rama luan gjithmonë që ne jemi normal, dimë të bëjmë shtet”.

Ndër të tjera Andoni beson se SPAK do të shkojë shumë lartë te politikanët e hetuar. Po ashtu ai beson se përpjekja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj për të qenë në nivele të larta të politikës ka mbaruar.