MENU
klinika

Champions League

Ajax 4 gola në “Bernabeu”, eliminon Realin

05.03.2019 - 22:53

Natë historike në Champions League. Një tjetër eliminim i bujshëm ka ardhur menjëherë pas fazës së grupeve. Ajax ka fituar 4-1 në “Bernabeu”, duke zhvlerësuar 1-2 në ndeshjen e parë dhe Real Madrid është jashtë.

Tri humbje radhazi në shtëpi, 2 herë me Barcelonën dhe kjo e fundit me Ajax, 2 eliminime dhe vend i tretë në kampionat 10 pikë larg vendit të parë tregojnë krizën më të madhe të Real Madrid.

Kampionët në fuqi të Europës zhgënjejnë tifozët si kurrë më parë në historinë e klubit dhe tashmë duket se do të nisë një revolucion te Los Blancos, që nga trajneri e deri tek yjet e ekipit.

Sa i takon ndeshjes së sotme, Ajax befasoi që në minutën e 7-të me golin e Ziyech. Ndërsa 9 minuta më pas do të dyfishonte Neres, pas një veprimi spektakolar të Tadic.

Real pak ka bërë në pjesën e parë dhe një shtyllë e Bale nuk e justifikon lojën e vendësve që mund të kishin pësuar edhe golin e tretë në fraksionin e parë.

Gol që vjen në minutën e 62-të nga Tadic, edhe pse topi u nis nga një dalje jashtës vijës anësore, por që VAR e ka konsideruar të rregullt pas minutave pritjeje.

Asensio ngushton shifrat në 1-3 në minutën e 70-të, por shpresat e madrilenëve thuajse shuhen në minutën e 72-të nga Schone, i cili shënon një gol spektakolar dhe vulos shifrat në 1-4. Në shtesë Nacho del me karton të kuq.

Në ndeshjen tjetër, Tottenham, që kishte fituar ndeshjen e parë 3-0 ndaj Dortmundit, fiton 1-0 edhe në Gjermani, duke u kualifikuar më tej, edhe pse verdhezinjtë mbajtën topin rreth 70% të kohës.

Golin e fitores e shënoi Harry Kane në fillimin e pjesës së dytë. Tottenham avancon më tej, në pritje të shortit të fazës së 1/8 finale të Champions League.