MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 28 mars?

28.03.2019 - 08:14

37 – Senati romak emëron Kaligulën Perandor. Emri i tij i vërtetë ishte Gaius Julius Caesar Augustus Germanicus, por kur ishte fëmijë, dy ose tre vjeç, Gaius, ndërsa shoqëronte atin e tij, Germanicus, në fushata, vishej me uniformë, përfshi këpucë ushtarake, prej këtyre iu dha emri “Caligula – “Këpuca”. Kur disa mbretër erdhën në Romë për t’i bërë nderime dhe për të argumentuar mbi fisnikërinë e prejardhjes së tyre, Kaligula u tha “Le të ketë vetëm një Zot, dhe ky të jetë Mbreti”, duke aluduar për veten e tij. Thuajse të gjitha burimet e mbijetuara e karakterizojnë Kaligulën si të çmendur. Seneka thotë se Kaligula u bë arrogant dhe fyes që kur u shpall perandor. Sipas Josephus, fuqia a pushteti e bënë Kaligulën të mendonte se ishte Perëndi. Suetoni shkruan se Kaligula vuante nga epilepsia. Disa historianë modernë mendojnë se Caligula vuante nga hiperteroidismi.

1794 – Muzeu i Louvrit hapet për publikun (edhe pse zyrtarisht ishte hapur që nga gushti i vitit 1793).

1845 – Meksika ndërpret marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në. Tensionet midis dy vendeve ishin krijuar si rezultat i përpjekjeve amerikane për të populluar territore nën kontroll meksikan, dhe arritën kulmin me aneksimin e Teksasit, një ish- territor meksikan.

1930 – Lindi në Paris Amelia Rosselli, poete, bija e aktivistes angleze Marion Cave dhe Carlo Rossellit, intelektual hebre fiorentin, hero dhe përfundimisht martir i Rezistencës anti – fashiste evropiane. Emelia u rrit si refugjate mes Francës, Anglisë, dhe Shteteve e Bashkuara – më në fund u vendos në Romë. E vetëquajtur “poete hulumtuese” Amelia ishte përkthyese, muzikante, muzikologe, dhe autore e 8 përmbledhjeve me poezi. Ajo përktheu në italisht disa poetë, përfshi Emily Dickinson e Sylvia Plath, dhe është konsideruar gjerësisht një nga poetët më të rëndësishëm italianë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Amelia Rosselli vrau veten në shtëpinë e saj në Romë në vitin 1996.

“Ka diçka si dhimbje në këtë dhomë,
Kapërcyer, por pesha e objekteve ndjehet,
Duke nënkuptuar rëndesë dhe humbje.
Ka diçka si të kuqe në pemë,
Por baza e llambës është portokalli
Blerë në vende që nuk dua t’i kujtoj
Sepse edhe ato peshojnë.
Uria e tjetrit s’mund të kuptohet
Burimet janë stilizuar
Saktë për ato që duan
Ndryshimin e fatit të burrave
të ndarë nga zhurmat..” (Amelia Rosselli)

1930 – Konstandinopoja dhe Angora ndryshojnë emrat për Stamboll dhe Ankara.

1939 – Lufta Civile Spanjolle: Mbrojtësit republikanë në Madrid ngrenë flamurin e bardhë mbi qytet, dorëzohen, dhe nacionalistët fitimtarë hynë me triumf; Lufta Civile Spanjolle përfundon. Deri në një milion jetë njerëzish humbën në konfliktin më shkatërruese në historinë spanjolle.