MENU
klinika

Furnizimet e mallrave

Tatimet-biznesit: Rastet kur duhet të bëni kujdes

16.04.2019 - 14:13

Kur një person i tatueshëm furnizon një mall ose shërbim, ky furnizim konsiderohet i kryer kundrejt pagesës nëse furnizuesi direkt prej personit të furnizuar, ose indirekt prej një personi tjetër që mbulon pagesën për llogari të furnizimit ose të të furnizuarit, merr pagesë ose ka të drejtë të marrë pagesë.

1.Furnizimet e mallrave të kryera kundrejt pagesës, nga një person i tatueshëm që vepron si i tillë;
2. Furnizimet e shërbimeve të kryera kundrejt pagesës, nga një person i tatueshëm që vepron si i tillë.

Furnizimet e mallrave dhe furnizimet e shërbimeve si pjesë e veprimtarisë ekonomike, të kryera kundrejt pagesës janë të tatueshme me TVSH. Transaksione të kryera kundrejt pagesës kuptojnë të gjithë elementet që përfshihen në furnizim, kur blerësi i mallit apo përfituesi i shërbimit paguajnë një kundërvlerë, cilado qoftë vlera ose natyra e saj (para, mall i furnizuar apo shërbim i dhënë etj.) dhe janë në përdorim të veprimtarisë ekonomike të vetë personit të tatueshëm (furnizim shërbimi), për:

1.Qëllim privat të tij ose të stafit të tij, për qëllime të ndryshme nga ato të veprimtarisë së tij ekonomike;
2. E kalon për përdorim privat kur nuk kryen më veprimtari ekonomike (për t’u çregjistruar);
3. Shërbimet jepen pa pagesë për nevoja personale ose të stafit ose për qëllime të ndryshme nga ato të biznesit të tij.

Kujdes!

Furnizimet sipas të cilave, personi i tatueshëm i trajton mallrat ose shërbimet e biznesit jo për t’i përdorur për qëllimet e veprimtarisë, njihen si përdorim privat i mallrave ose shërbimeve të veprimtarisë dhe konsiderohen furnizime kundrejt pagesës për qëllime të TVSH-së.

Furnizim kundrejt pagesës zbatohet gjithashtu për operacionin me anë të të cilit personi i tatueshëm, merr një mall (furnizim malli) apo një shërbim, nga mallrat, elementet apo mjetet që i përkasin dhe janë në përdorim të veprimtarisë së tij ekonomike, për t’i përdorur për qëllime të një veprimtarie jo më të drejtë të plotë zbritjeje të TVSH-së, në rastin kur e drejta e zbritjes mbi këtë mall ose shërbim, nëse do të blihej nga një përson tjetër i tatueshëm, nuk do të ushtrohej.

Vetëfurnizimi
Personi i tatueshëm konsiderohet se ka kryer një vetëfurnizim të mallrave dhe shërbimeve me kushtin që këto mallra e shërbime të përdoren për qëllime të veprimtarisë ekonomike të tatueshme, jo të përjashtuar të personit të tatueshëm dhe përdor për nevoja të biznesit të tij mallra ose shërbime të kryera në kuadër dhe për qëllime të veprimtarisë së tij ekonomike të tatueshme.

Këto mallra ose shërbime trajtohen si furnizime të tatueshme, për qëllime të veprimtarisë ekonomike të tatueshme, duke aplikuar zbritshmërinë e TVSH-së. Për këtë, personi i tatueshëm lëshon një faturë për furnizimin si furnizues i mallit ose shërbimit dhe në të njëjtën kohë si blerës i këtij furnizimi për nevoja të biznesit të tatueshëm.

Kujdes!
Vetëfurnizimi zbatohet vetëm në rastin kur kemi të bëjmë me një furnizim të tatueshëm dhe për qëllime përdorimi të veprimtarisë së tatueshme.

Furnizimi i mallrave të përdorura për nevoja të ndryshme nga ato të aktivitetit ekonomik janë të tatueshme me TVSH edhe nëse ndërmarrja i ka prodhuar apo ndërtuar vetë ato, ose i ka blerë dhe i ka furnizuar në atë gjendje. Kur një mall apo një shërbim i blerë nga ndërmarrja ose i krijuar me mjetet e ndërmarrjes përdoret për nevoja të ndryshme nga ato të ndërmarrjes, por TVSH e paguar në blerje për mallrat ose mjetet nuk është i zbritshëm, për pasojë nuk do të konsiderohet si furnizim kundrejt pagesës.

Mbyllja e veprimtarisë ekonomike të tatueshme
Me mbyllje të veprimtarisë kuptohet në mënyrë të përgjithshme braktisja, përfundimi i tërësisë së aktivitetit industrial apo tregtar për shkak të mbylljes përfundimtare të ndërmarrjes, ose nga ndarja e shoqërisë në mënyrë vullnetare, ose në kuadrin e një procedure gjyqësore. Mallrat për investim (aktivet) gjendje në datën e mbylljes së aktivitetit janë objekt i rregullimeve të TVSH-së së zbritshme nëse nuk janë shitur. Për qëllime të TVSHsë konsiderohet se mbyllja e aktivitetit ndodh në datën kur stoqet (inventari) janë transferuar (shitur), ose në datën kur të gjitha mallrat kapitale të luajtshme janë transferuar (shitur) apo janë nxjerrë jashtë përdorimit nëse kjo procedurë ka qenë e nevojshme të zbatohej. Mallrat e luajtshme të investimit gjendje, të cilat kalojnë për përdorim privat gjatë mbylljes së aktivitetit të personit të tatueshëm, janë objekt i rregullimit të TVSH-së së zbritur më parë, nëse këto mallra kanë pasur të drejtë zbritje të plotë apo të pjesshme të TVSH-së.