Pas Samitit në Berlin, ku Kosova nuk pranoi të heqë taksën, ka reaguar ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç.
“Ata me siguri kanë disa mbështetje që janë aq kokëfortë”, është shprehur Daçiç në një intervistë për RTS, ku foli për samitin e 29 prillit.
“Ata presin që të skadojë mandati i Komisionit Evropian, dhe vazhdojnë me kritika ndaj BE-së”, ka thënë Daçiç.
Sipas tij Merkel dhe Macron e kishin ftuar këtë takim me synime të mira, por një gjë të tillë thotë se nuk e kupton Prishtina.
Ndërkohë sa i përket kërkesës së Kosovës për njohje, Daciç thotë se një kërkesë e tillë është e parealizueshme.
“Njohja e Kosovës është një mision i pamundur”, ka thënë ai, duke shtuar se kërkesat e Prishtinës mund të mbesin vetëm një listë dëshirash.
“Nëse diçka nuk është në interes të Serbisë, atëherë kurrë nuk do ta pranojmë”, ka vazhduar tutje ai.
Sa i përket vazhdimit të dialogut, Daçiç përsërit që Serbia nuk rikthehet në tryezën e bisedimeve pa u hequr taksa.