Stevo Pendarovski është betuar sot në orën 13:45, në një ceremoni zyrtare në të cilën kanë qenë pjesë edhe shumë lidër të rajonit, përfshirë këtu Presidentin Ilir Meta.
Pas betimit, Pendarovski ka zhvilluar takime bilaterale me presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev, me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta si dhe me presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në fjalimin e tij, Pendarovski është shprehur se toleranca ndaj krimit dhe korrupsionit do të jetë zero, ndërsa do t’u japë mbështetje sektorit qytetar dhe mediave.
“Dëshiroj publikisht të them dhe të zotohem se do të jem president i të gjithë qytetarëve, edhe i atyre që votuan për mua, edhe i atyre që votuan për kundërkandidatët e mi, si edhe i atyre të cilët nuk dolën në votime. Punën e parë që do ta bëj është ta shtrijë dorën e bashkëpunimit me opozitën.
Do të jem president i të gjithë qytetarëve. Është koha që t’i shërojmë plagët e hapura prej të kaluarës tonë të afërt dhe realisht ta fillojmë pajtimin qytetar pasi nuk kemi një atdhe tjetër rezervë të cilin mund ta quajmë shtëpia jonë. Në këtë rrugë duhet të angazhohem shumë, duke mbajtur llogari për rejtingun tim politik.”– u shpreh Pendarovski.