Këshilli Bashkiak i bashkisë Fushë-Arrëz miratoi sot në unanimitet emërtimin e një rruge në territorin e saj me emrin “Revolta e Qafë Barit”. Ky vendim erdhi pas iniciativës së Fondacionit Kujto.al dhe z.Agron Shehaj, themelues i këtij fondacioni.
Vendimi u mor në prag të 35 vjetorit të kësaj revolte, 22 maj 1984, ku për herë të dytë pas asaj të Spaçit, 21 Maj 1983, të burgosurit politikë u ngritën kundër sistemit komunist. Këtë emër do të mbajë rruga që lidh rrugën nacioale me kampin famëkeq të Qafë Barit, ku vuajtën dënimin në punë të rëndë në minierë qindra të burgosur politikë nga viti 1983 deri më 1991.
Me nismën e Fondacionit Kujto.al dhe mbështetjen e Bashkisë Fushë-Arrëz do të vendoset edhe një memorial përkujtimor për të nderuar vuajtjen e të dënuarve politikë dhe atyre që u pushkatuan pas revoltës, ose vdiqën nga puna e rëndë e torturat. Përfaqësuesi i Fondacionit Kujto.al, studiuesi Erald Kapri, i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Fushë-Arrëzit, tha se revolta e Qafë-Barit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në përpjekjen e shqiptarëve për të kundërshtuar dhe rrëzuar diktaturen komuniste.
“Ngritja e memorialit bashkë me dhënien e një rruge emri “Revolta e Qafë Barit” është një moment i rëndësishëm kujtese për komunitetin e bashkisë së Fushë-Arrëzit, por edhe për gjithë shqiptarët. Kjo iniciativë i hap rrugën ruajtjes dhe konservimit të burgut për t’u kthyer në një vend pelegrinazhi për të kujtuar të kaluarën e dhimbshme, por edhe forcën e madhe të të dënuarve që guxuan të ngrihen kundër diktaturës”, u shpreh Kapri.
Më 22 maj 2019 do të mbahet një pelegrinazh me ish të dënuarit politikë të këtij kampi të organizuar nga Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Fondacioni Kujto.al dhe shoqatat e të përndjekurve politikë. Gjatë këtij aktiviteti do të përurohet edhe memoriali për revoltën e Qafë Barit.