Rreth 40 familje që banojnë në këtë pallat në lagjen e re të Bulqizës rrezikojnë jetën për shkak të çarjes së rrezikshme të godinës së përbashkët të tyre.
Pallati në fjalë është i çarë në të katër anët, duke vënë në rrezik familjet rezidente.
Banorët dyshojnë që shkak për këtë dëmtim të pallatit është bërë lëvizja e tokës. Ata kanë kërkuar ndihmën e pushtetit vendor për të ndërhyrë, por deri tani nuk është bërë asgjë.
Ndërkohë, Prefekti Nexhbedin Shehu tha se banorët e kanë vënë në dijeni edhe institucionin që ai drejton.
Nisur nga kjo Shehu ka kontaktuar me Kryetarin e Bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi i cili është shprehur se kërkesën e banorëve për të ndërhyrë në këtë pallat, ja ka dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile.
Banorët jetojnë me frikën se ndërtesa e përbashkët mund të shembet e t’i zërë të gjithë brenda.