KZAZ e Kavajës prej 4 orësh është marrë në ruajtje nga Policia e Shtetit dhe RENEA pas paralajmërimit të nënkryetarit të Bashkisë, Hysen Kadiu për dorëzimin e materialeve zgjedhore në Bashki, duke vënë në zbatim kështu dekretin e Presidentit Meta për anulimin e 30 qershorit si datën e zgjedhjeve vendore.
Siç mësohet, simpatizantë të Partisë Demokratike në Kavajë thonë se në orën 20:00 pritet të hyjnë në këtë KZAZ për të marrë edhe aty, siç ka ndodhur në disa rrethe të tjera, materialet zgjedhore.
Kujtojmë që një ditë më parë pati tensione e u dogj një KZAZ e ngritur pranë një shkolle në Shkodër.
Po ashtu sot në Burrel u nxorën e dogjën materialet zgjedhore.
Vetë minsitri Lleshaj reagoi për situatën dhe tha se do të shkrinte disa polici bashkiake, kurse bashkitë e djathta e konsiderojnë deklaratën e tij, cënim të autonomisë dhe akt të paprecedent që thellon, sipas tyre grushtin e shtetit.
Më herët edhe Prezenca e OSBE në Tiranë ka reaguar për përplasjet mes policisë dhe mbështetësve të opozitës në disa KZAZ.
Në reagimin e saj, OSBE-ja ka dënuar me forcë aktet e dhunës.