Protestës së banorëve të Kodërvilës që kërkojnë pezullimin e një kompleksi banimi me katër pallate 5 katësh i janë bashkuar edhe krerët e Partisë Demokratike në Durrës.
Kryetari i degës së PD në Durrës, Ferdinand Xhaferri hodhi akuza ndaj kreut të bashkisë, Vangjush Dako dhe zyrtarëve të tjerë të bashkisë për dhënien e lejes së ndërtimit në këtë zonë.
“Kjo leje ndërtimi e dhënë këtu ka probleme shumë të rënda gjeologjike dhe mjedisore. Ky është degradim në çdo aspekt.”
Për disa momente Xhaferri dhe krerët e degës së PD u konfliktuan edhe me pronarët e truallit, të cilët i kërkuan që të mos hyjë në pronë private.
Banorët e zonës së Kodërvilës thanë se do vijojnë me protestat në ditët në vijim.
“Kodërvila njihet për sizmologjinë, dihet se kjo pronë ka probleme përsa i përket pjesës gjeologjike dhe këto janë të shprehura kryesisht në pjesën e oponencës teknike.”
Në zonën e Kodërvilës, e cila konsiderohet mushkëria e qytetit, po ndërtohen katër pallate nga pesë kate secili.