MENU
klinika

Akuzat

Tropojë-Kukës/ Tensionet në KZAZ, ndalohen 2 shtetas të tjerë

22.06.2019 - 10:36

Policia e Tropojës dhe Kukësit ka vënë në pranga dy persona të akuzuar e të shpallur në kërkim për ngjarjet e ndodhura në KZAZ Nr. 09, Tropojë dhe KZAZ nr.11, Kukës, datë 19 dhe 20.06.2019.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tropojë, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim G.B., 38 vjeç, banues në Dojan, Tropojë.

Ndalimi i tij u bë si i dyshuar për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim; L.Sh., 37 vjeç, banues në fshatin Shtiqen.

Ndalimi i tij u bë si i dyshuar për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” ,”Shkatërrimi i pronës”, “Dëmtim me dashje i materialeve zgjedhore, e mbetur në tentative”, “Organizim i paligjshëm i tubimeve”, dhe “Prishje e qetësisë publike”.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë dhe Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.