MENU
klinika

Ngec në 'sitën' e Vetting-ut

Shkarkohet kryeprokurorja e Kukësit

27.06.2019 - 10:01

Kryeprokurorja e Kukësit është shkarkuar nga detyra me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Gjatë seancës dëgjimore, KPK ngriti dyshime në lidhje me tre kriteret e Vettingut.

Kryeprokurorja Alketa Nushi tha gjatë fjalës së saj se ndihet e turpëruar nga raporti i DSIK-së dhe se pasuria e saj është modeste.

Raporti i ILDKPKI-së, i lexuar në seancë sugjeronte që prokurorja Nushi nuk kishte kryer deklarim të saktë, por kishte burime të ligjshme për pasurinë e saj.

Ndërkohë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kreu një hetim të pavarur mbi kriterin e pasurisë.

Pavarësisht pasaktësive dhe mospërputhjeve, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se Nushi kishte burime të ligjshme për shpenzimet e kryera.

Paralelisht me pasaktësitë në deklarimin e pasurisë, Komisioni evidentoi probleme edhe në pastërtinë e figurës. Relatori Hamitaj u shpreh se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK kishte dorëzuar dy raporte për prokuroren Nushi.

Jam shumë e turpëruar nga ky raport para jush dhe familjarëve të mi. Është cilësuar kontakt i papërshtatshëm personi nën hetim. Nuk ka bazë morale dhe gjithçka duket nga pasuria që disponoj,” pohoi Nushi.

Ajo shtoi se pastërtia e figurës së saj ishte kryer edhe më parë dhe se kishte rezultuar pa probleme, pasi disponon leje të përhershme qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky raport nuk ka të bëjë me mua. Ndihem shumë e turpëruar!”, përfundoi drejtuesja e Prokurorisë së Kukësit.

Ndërsa raporti i parë ishte pozitiv për të, DSIK kishte ndryshuar konstatimin pas një informacioni të ri të marrë në korrik 2018, duke e konsideruar atë të papërshtatshme.

Prokurorja Alketa Nushi ka marrë raport pozitiv nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si dhe vlerësime “shumë mirë” nga Prokuroria e Përgjithshme.

Por denoncimet e kryera nga publike kanë sjellë telashe të reja për të.