Trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci, ka vendosur që të sakrifikojë një nga prurjet e reja të përfaqësueses shqiptare, për t’i krijuar mundësinë vetes që sonte të hedhë në fushë Enea Mihajn ndaj Skocisë.
Nuk bëhet fjalë për një plan afatgjatë, por për një vendim për t’u siguruar që mbrojtësi shqiptar të mbetet përgjithmonë jashtë përfaqësueses së Greqisë.
Janë grumbulluar 24 lojtarë edhe për duelin kundër Skocisë. Por në një ndeshje regjistrohen vetëm 23 dhe, nëse të premten ishte Enea Mihaj ai që u detyrua të ndiqte takimin i vetmuar në tribunën e “Elbasan Arena”, sot në “Hampden Park” do të jetë një tjetër emër i ri që do të ketë të njëjtin fat.
Emri jashtë 23-s është Besir Demiri, i afruar si alternativë në krahun e majtë të mbrojtjes, ku për momentin e ka të vështirë të gjejë hapësira, aq më pak në ndeshjen e sotme. Panucci sheh Binakun si zgjedhje të parë dhe Agollin si alternativë.
Për këtë arsye, lojtari do të ulet në tribunë sot dhe vendin e tij në pankinë do ta zërë Mihaj. Nëse do të jepet mundësia në ndeshjen e sotme, Panucci do të aktivizojë për disa minuta në fund djaloshin 20-vjeçar.
Në momentin që ai do të zbresë në fushën e lojës, do të jetë i lidhur përfundimisht me përfaqësuesen kuqezi dhe të gjitha pretendimet për të luajtur me Greqinë në të ardhmen do të bien.