Për Kosovën ka ardhur momenti i duhur. E hëna e 10 shtatorit është dita ideale që “dardanët” të regjistrojnë fitoren e parë në një ndeshje zyrtare (20:45). Për të nderuar emrin e ish-legjendës së futbollit kosovar dhe njëkohësisht ish-presidentit të federatës Fadil Vokrri.
Djemtë e drejtuar nga zvicerani Bernard Challandes do të kërkojnë vetëm 3 pikët në debutimin e tyre në stadiumin e ri “Fadil Vokrri”. Pas barazimit me shumë vlera që mori në Azerbajxhan, Kosova pret në shtëpi Ishujt Faroe, një skuadër që e ka nisur mirë aventurën në Ligën e Kombeve, pasi mposhti në ndeshjen e parë Maltën me rezultatin 3-1 dhe kryeson grupin 3 të Divizionit D.
Ndaj këtij kundështari Kosova ka kujtime të bukura, pasi në një sfidë miqësore të zhvilluar në vitin 2016 në Gjermani “dardanët” triumfuan me rezultatin 2-0 edhe pse luajtën për pjesën më të madhe të ndeshjes me një lojtar më pak.
Sot, të gjitha rrugët të çojnë në Prishtinë, aty ku entuziasmi i tifozëve do të jetë shumë i madh. Kjo do të jetë gjithashtu ndeshja e parë zyrtare që Kosova do të luajë në shtëpinë e saj dhe të gjithë shpresojnë që stadiumi i ri “Fadil Vokrri” t’i sjellë fat skuadrës së Challandes, në mënyrë që Kosova të marrë fitoren e parë në Nations League.