Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë rreth idesë së hedhur për rishikim të vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Në Top Channel me gazetaren Eni Vasili, ai shpjegoi se përse ka zgjedhur të heshtë, kur të gjithë kanë folur: “Është një çështje që i takon shtetit të Kosovës. Nga një anë në Kosovë ka një debat mbi një ide, jo një platformë. Nga ana tjetër, si përfaqësues i Shqipërisë ndjej detyrimin që të respektoj vendimin e tyre. Unë kam qenë i qartë, se do të flas për Kosovën, por nuk mund të flas në emër të Kosovës. Është e paudhë për mua që të bëj komentatorin. Na duhet shumë më tepër se sa debati i radhës”.
Rama u shpreh se çështja e kufirit është mjaft delikate, ku luhet fati jo vetëm i Kosovës, por i kombit shqiptar.
“Shqipëria ka detyrimin të mbështesë fuqimisht Kosovën dhe në këtë detyrim të ndjekë dhe të presë se çfarë përfaqësuesit e Kosovës mendojnë se për çfarë gjërash janë dakord të bëjmë. Unë nuk mund të bëjë tutorin e Kosovës. Kjo është një çështje ku luhet fati jo i Kosovës, por i kombit shqiptar dhe mund të bëhen gabime shumë të rënda”, u shpreh Rama.
Njëkohësisht edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për këtë ‘Opinion’. Ai ka përkrahur idenë e vijueshmërisë së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, por është shprehur kundër shkëmbimit të territoreve.
Ish-lideri i demokratëve theksoi se marrëveshjet duhet të respektojnë sovranitetin e dy vendeve.
“Nuk jam kundër një marrëveshje. Kam mbështetur, mbështes dhe do mbështes një marrëveshje. E konsideroj shumë të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Marrëveshja në konceptin tim duhet të jetë një marrëveshje mes dy vendeve sovrane që respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial mes dy vendeve. Është jashtë çdo lloj koncepti europian. Ballkani është më i pasur se çdo rajon tjetër me minoritete. Problemet nuk janë minoritetet, por janë mazhoranca. Pse e ka Serbia dhe Rusia këtë përqendrim kaq të madh në Mitrovicë? I kujt ishte projekti i shkëmbimit? Projekti është i Beogradit”, tha ai.