Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, ka tashmë, nisur nga shtatori këtij viti 3 lagje të reja përkatësisht: “Lagjia nr.12”, “Lagjia nr.13” dhe “Lagjia nr.14”.
Lehtësi në shërbim do të përfitojnë banorët në zonën e Freskut, Unazës së Madhe në Kashar dhe në zonën e Selitës në Farkë.
Kryebashkiaku, Erion Veliaj, ka realizuar një takim ditën e sotme me administratorët e njësive bashkiake si dhe drejtorët e ndërmarrjeve nën varësi të Bashkisë së Tiranës, ku ka theksuar se në zonat e lartpërmendura do të ketë më shumë shërbime dhe investime.
Përtej kësaj, Veliaj, ndaloi dhe në një tjetër çështje mjaft të rëndësishme lidhur me gjobën për mosdeklarim të vendbanimit.
Ai tha se po punohet për një ligj të ri për pezullimin e kësaj gjobe, ku në këtë mënyrë të bëjë të mundur që qytetarët të regjistrohen aty ku kanë edhe adresën e tyre të saktë të banimit.
“Jemi duke punuar për një amendim i cili ka kaluar në Këshillin e Ministrave dhe do të shkojë në parlament i cili do të krijojë një amnisti, pra për ta bërë transferimin pa gjobë të qytetarëve nga vendi ku kanë letrat tek vendi ku realisht banojnë. Së pari dimë kush voton në Tiranë, kush voton në Librazhd, në Malësi të Madhe, kush voton në Sarandë, pra di secili edhe për listat e votuesve kush është kush por mbi të gjitha se votimet janë një herë në katër vjet por jeta në komunitet është përditë. Mbi të gjitha ne dimë dhe kemi një inventarizim të banorëve realë”, tha Veliaj.