MENU
klinika

Negociatat

Mblidhen ministrat e jashtëm: Jo për veto, por duhet të reformohet BE

15.10.2019 - 12:40

Ministrja franceze Amelie de Montchalin, deklaroi sot para nisjes së mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të BE në Luksemburg se Franca nuk do të vendosë veton për çeljen e negociatave, por u shpreh se para nisjes së bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duhet të riformohet vetë Bashkimi Europian.

“Nuk jam sot këtu për të vendosur veto , por në një frymë shkëmbimi mendimesh mbi dy parime. Së pari, hapja e negociatave kërkon përgatitje nga Bashkimi Europian dhe ne konsiderojmë sot që ne duhet të rishikojmë në thellësi procesin e negociatave të anëtarësimit.

Procesi i zgjerimit është zhgënjyes, i gjatë për vendet përkatëse dhe nuk krijon besim te vendet anëtare, sepse tretet në kohë. Pra, së pari, ne duhet të diskutojmë mbi reformën e procesit të zgjerimit. Kapitujt që hapen e mbyllen si një telenovelë pa fund nuk i përgjigjen pritshmërisë së qytetarëve në rajon.

Ne kemi parë fluks migracioni nga vendet që kanë përfunduar negociatat dhe janë bërë anëtare, si Rumania, Bullgaria apo Kroacia. Pra, është një çështje qasje mbi procesin. A është ky proces efikas? Përgjigjja është jo dhe ne kemi shumë vende që e mbështesin këtë qasje lidhur me riorganizimin e negociatave të anëtarësimit.

Së dyti, duhet të sigurohemi se reformat që janë kërkuar për t’u zbatuar si kushte për hapjen e negociatave të jenë reale. Që të jenë votuar, por edhe zbatuar. Këtë do diskutojmë sot, Por, dua të theksoj, se Franca nuk i kundërvihet perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit”, u shpreh de Montchalin.

Tytti Tuppurainen ministrja e Punëve të Jashtme të Finlandës, që është edhe vendin që mban presidencës e BE ka folur për mediat para nisjes së mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE, e cila ka në fokus pikërisht hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ajo tha se Finlanda ka në axhendë zgjerimin e Bashkimit Europian.

“Ne kemi zgjerimin sot në axhendë dhe si presidencë e Bashkimit Europian jemi të angazhuar tërësisht për të mbështetur procesin e zgjerimit.

Sot pres një sinjal të Bashkimit Europian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, se ç’duhet të bëjë Europa, pasi ne kemi angazhime dhe duhet t’i përgjigjemi vendeve të Ballkanit”, u shpreh Tuppurainen.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të mblidhen sot në orën 11:00 në Luksemburg për të përgatitur draftin me konkluzionet kryesore në axhendë, që do u kalohet më pas liderëve të vendeve të BE-së në samitin e 17-18 Tetorit ku do të vuloset edhe fati i Shqipërisë dhe Maqedonisë nëse do të hapen apo jo negociatat.

Ministri gjerman i Shtetit për Europën Michael Roth ka mbërritur në Luksemburg ku do të zhvillohet mbledhja e ministrave të Jashtëm të BE.

Roth shkruan se pozicioni i Gjermanisë është i qartë në mbështetje të nisjese së bisedimeve për këto dy vende, megjithë e konsideron procesin të vështirë.

Në reagimin e tij, pak para se të nisë mbledhja, ministri i jashtëm, Gent Cakaj shkruan se sot është momenti që BE-ja të tregojë se i mban premtimet e dhëna, ku theksoi se një vendim negativ do të ndikonte në ngadalësimin e progresit të reformave.

“Koha të çelim negociatat. Provë e BE për të mbajtur premtimet dhe për të parë të ardhmen. Një vonesë tjetër mund të minojë besueshmërinë në BE. Sot BE përballet me një zgjedhje historike.

Nuk na duhet një vështrim i ngushtë, por një fener shprese. Një vonesë tjetër mund të ngadalësojë progresin e reformave”, shkruan Cakaj.

Franca dhe Holanda janë dy vendet skeptike, por deri në 18 Tetor asgjë nuk është mbyllur dhe shpresat janë reale për Shqipërinë.

Diskutimi mes ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian do të bazohet në konkluzionet e miratuara në 2018 me premtimin se negociatat do të hapen pikëtisht këtë vit, por nga qershori u shty në tetor.