Në antikitet njihet me emrin Farsalja – fusha ku u bë një nga përleshjet mes Çezarit dhe Pompeit – sot, Zadrima e bukurive të natyrës. Zadrima, më këtë emër përmendet vetëm pas pushtimeve sllave, pasi edhe emri i saj është toponim sllav; Za Drina ose Tej Drini, pra bëhej fjalë për krahinën në të majtë të rrjedhjes së mesme të lumit Drin.
Që në kronikën e Danilos së v.1337 përmendet forma sllave Drimë, prej kësaj mbetën edhe toponimet Zadrimë e Podrimë (Kosovë).
Për herë të parë Zadrima, përmendet në relacionet e shekulli XII-XIII kur Ana Komnena e përmend ndër të tjera fushën e Zadrimës dhe fushat e Lezhës, si vende të veprimeve luftarake të Bizantit me romakët, ku ajo shënon: “Kjo është një trevë me zhvillim bujqësor”. Pas kësaj kohe, Zadrima dhe fshatrat përreth përmenden herë pas here, për arsye të ndryshme.
Në vitin 1570, Zadrima përmendet për bukurinë e saj, nga Antonio Bisanti, në “Relazione dell Albania”: …Drini, lumë që rrjedh mandej, nga perëndimi në një fushë të bukur, që quhet Zadrimë,.. fusha e bukur dhe e këndshme e Zadrimës”.
Mjaft e përmendur del edhe relacionet e shekullit XVII nga ipeshkvijtë e dioqezës së Sapës, të cilët i dërgojnë papës, informacione për zhvillimin ngjarjeve në Zadrimë. Ndër këto përmendim relacionin e vitit 1621, të shkruara nga Gjergj Bardhit, Frang Bardhit etj.
Zadrimën e përshkojnë dy lumenj: lumi Drin, i cili njihet edhe si kufiri i saj verior dhe lumi Gjadër, te cilet të bashkuar rrjedhin drejt Lezhës.
Të dhënat për këtë zonë janë të lashta, sa edhe vetë historia e njerëzimit. Këto vërtetohen nga shumë dokumente dhe objekte të çmuara arkeologjike, të njohura edhe në botën shkencore, si kultura e Gajtanit dhe e Komanit.
Në vitin 394 p.l.k. Zadrima ishte nën sundimin bizantin. Zadrimoret shquhen jo vetëm si bujq dhe blegetorë të përmendur, por edhe si atdhetarë dhe luftëtarë shumë te zot. Danja, Sapa, Blinishti, apo Sarda janë vende fushëbetejash të njohura në histori. Senati i Venedikut, në vitin 1399 aprovoi me unanimitet, lidhjen e miqësise së ngushtë me krahinën e Zadrimës, që ishte aq e begatë.
Gjatë periudhës së Skendërbeut shumë takime të princave shqiptarë bëheshin në kullën e Zadrimës, në Blinisht. Edhe gjatë viteve të pushtimit osman Zadrima ka mbajtur te ndezur zjarrin e levizjeve për liri. Para shpalljes se pavarësisë, në malet përreth, vepronin çetat kryengritëse. Gjatë luftës nacional- çlirimtare Zadrima ishte në krah të luftës për çlirim dhe dha një kontribut të çmuar. Edhe gjatë viteve të diktaturës perseri Zadrima punoi per lirinë dhe priste agimin e saj.
Ne Zadrimë kalonte rruga e kalldrëmtë Lezhë –Blinisht-Sapë-Naraç-Danjë qe arrinte deri në Shkodër dhe vazhdonte per ne Zetë. Në Danjë ajo degëzohej dhe vazhdonte per Sardë dhe Kosovë. Kalaja e Sardës, e Danjës, e Sapës sado të dëmtuara nga luftrat dhe koha perseri dëshmojne për një zone historikisht të zhvilluar, me qytetërim të hershëm dhe të organizuar në mbrojtje.
Zadrima, perveç historisë së lavdishme, ka edhe një trashëgimi kulturore të pasur. Në Blinisht është hapur edhe shkolla e parë shqipe, në vitin 1639. Në Zadrimë kanë lindur figura të shquara të historisë dhe të letërsisë, me të cilët krenohet e gjithë Shqipëria, Princi i Danjës dhe i Sapës Lekë Zaharia, bashkëluftëtar dhe krah i fortë mbështetës i Skënderbeut; Gjon Gazulli (1400-1465), humanist, diplomat i Skënderbeut dhe ambasador i tij në Raguzë, matematicien dhe astronom, ndër më të shquarit e kohës; gjuhëtari dhe historiani Frang Bardhi (1606-1643), autor i fjalorit të parë latinisht-shqip, fjalor me rreth 5 640 fjalë shqip, si dhe numërorë, emra vendesh dhe një sasi fjalësh të urta e shprehjesh të mbledhura në krahina të ndryshme të Shqipërisë; Gjergj Fishta, një ndër autorët më të mëdhenj të letrave shpipe, u lind ne Fishtë.
Ishte shkrimtar, perkthyes dhe autor i disa veprave që njihen sot në mbarë botën. Poeti i madh Ndre Mjeda, ishte nga Mjeda dhe veprat e tij më madhore i shkroi në Zadrimë. Figurë e shquar ishte edhe Pjetër Zarishti, që është quajtur si “urë kalimi” nga letersia e vjetër shqipe në letërsinë e re të Rilindjes Kombetare; Dom Jak Zekaj poet, shkrimtar, piktor; vëllezerit Mati dhe Kel Kodheli – pionierët e fotografisë shqiptare, si dhe shume figura të tjera, që kanë dhënë kontibut në kulturën e vendit tonë.
Karakteristike per Zadrimën, janë edhe shtëpite (kullat) dykatëshe, që spikasin nga tipologjia e veçantë e ndërtimit të tyre, me mur guri, dikur edhe me frëngji, si kështjella.
Veshjet zadrimore janë ndër më të bukurat në vendin tonë, ku dominojne ngjyrat e gjalla dhe optimiste, si e kuqja, e verdha dhe e gjelbra. Këmishat harkate të nuseve, të punuara me shumë finesë, me mëndafsh të bardhë dhe të verdhë, me qazat e qëndisura me zogj dhe figura të kombinuara rombike, me mëndafsh, kanë shumë fantazi dhe art.
Jelekët me sumbulla, boçet me shumë kolorit, fodullet e punuara artistikisht me serm dhe ar, gjerdani dhe kurora me florinj, unazat, rizat, thuajse transparente me atë punim aq artistik, flasin për shpirtin krijues dhe finesë të grave dhe vajzave artizane zadrimore.
Veshjet e burrave janë më serioze, me çakçirë të bardhë të qëndisur lehtë në fund tek këpucët dhe xhepat, me brez më të shkurtë se të grave, me jelek vishnje ose xhurdi të bardhë, ku dominojne thekët dhe tegelat e zeza dhe kësula e bardhë. Por, më të bukura se të gjitha janë këngët dhe vallet zadrimore, që shquhen për melodi të larmishme, të ëmbël, optimiste dhe të shtruar.
Kjo krahinë, përveç vlerave historike, arkeologjike dhe fetare mbart dhe vlera të mëdha kulturore dhe etnografike. Këngët e Zadrimës janë një pjesë e rëndësishme e muzikës folkloristike të kombit tonë dhe gjithashtu zakonet dhe veshjet tradicionale shumëngjyrëshe zadrimore janë një pasuri më vetë për etnografinë shqiptare.