MENU
klinika

Nga Agustin Palokaj

Pse Kosova nuk mund të fajësojë politikanët e Shqipërisë!

26.12.2019 - 12:58

As në Prishtinë e as në Tiranë liderët shtetërorë nuk do të duhej të ngurronin të takoheshin me homologët nga Serbia, kushdo që të jenë ata. Takime ka pasur edhe në kohën kur vazhdonte lufta. Si bashkëbisedues duhet të pranojnë këdo që qytetarët e Serbisë e zgjedhin. Akullin e kanë thyer edhe liderët nga Prishtina e edhe nga Tirana dhe nuk kanë të drejtë t’i japin ligjërata morali njëri-tjetrit. Por në këto takime duhet ruajtur dinjitetin, të mos jenë patetikë, të mos aktrojnë miqësinë dhe dashurinë e madhe përnjëherë. Në Tiranë duhet, megjithatë, ta kuptojnë se përmes forcimit të raporteve me Shqipërinë, Beogradi do që ta injorojë Kosovën. Por as Kosova nuk mund t’i fajësojë politikanët e Shqipërisë kur bëjnë atë që e kanë bërë vetë liderët e Kosovës, takimet me udhëheqësit e Serbisë.

Në parim nuk ka asgjë të keqe në asnjë nismë e cila ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Mbi këto katër liri themelore është ndërtuar tregu unik i BE-së, që është më i madhi i tillë në botë. Dhe ky shembull nga BE-ja është i mirë edhe për të tjerët.

Duke pasur parasysh se qysh para 20 vjetësh BE-ja kishte caktuar bashkëpunimin rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor si një prej kushteve për avancim në procesin e integrimeve në BE, që është formësuar edhe në Procesin e Stabilizim-Asociimit, me këto nisma mund të thuhet se përmbushen edhe disa kushte në këtë rrugëtim. Prandaj edhe BE-ja do ta përshëndesë secilën iniciativë të tillë, edhe pse tashmë kemi një inflacion të ideve të bashkëpunimit rajonal.

Në anën tjetër, edhe për qytetarët dhe vendet e rajonit bashkëpunimi i tillë është i frytshëm. Nisma të tilla ka edhe në rajonet e tjera të Evropës, përfshirë edhe grupe brenda Bashkimit Evropian.

Për rajonin e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin drejt BE-së, pos afrimit me standardet evropiane në fushat e përfshira në procesin e negociatave të anëtarësimit, ekzistonte edhe ai i ripajtimit dhe tejkalimit të armiqësive nga e kaluara e afërt.

Pikërisht për këtë kusht Serbia është në epiqendër të këtyre përpjekjeve dhe pa dyshim është shteti kryesor në rajon. Pa Serbinë nuk mund të bëhet asgjë në rajon, sepse është shteti që ka më së shumti ndikim. Ky ndikim nuk është doemos në aspektin pozitiv. Serbia është shteti i cili e ka mbështetjen e Rusisë pa marrë parasysh se çfarë bën. Është shteti që ka mbështetje edhe nga Turqia, nga shumica e shteteve të Lindjes së Mesme dhe në të njëjtën kohë është shumë më e përkëdhelur dhe e toleruar nga BE-ja.

Serbia është e rëndësishme edhe për shkak të potencialit destabilizues që ka për shtetet e tjera. Përmes Republikës serbe mban peng Bosnjë-Hercegovinën. Përmes kontrollit të plotë, shpesh me frikësime dhe sulme e kërcënime, mban nën kontroll veriun e Kosovës. Përmes kishës, një pjese të mediave dhe disa partive politike mban tensionet në Mal të Zi. Tërë këtë e bën Serbia ku në pushtet janë ata që në vitin 2000, kur edhe u lansua projekti i bashkëpunimit rajonal, integrimit në BE dhe pajtimit, konsideroheshin si “forcat e errëta të së kaluarës” dhe e tërë Evropa festonte largimin e tyre nga pushteti.

Kur në Zagreb ishte zhvilluar samiti i përbashkët i BE-së dhe vendeve të Ballkanit, vetëm një vit pas përfundimit të luftës në Kosovë, u mendua se Serbia përgjithmonë ka nisur rrugëtimin nga një e ardhme evropiane, pajtim me fqinjët dhe tejkalim i së kaluarës së errët, gjatë së cilës, në emër të serbëve dhe Serbisë, ishin bërë krime të mëdha ndaj popujve të tjerë, përfshirë edhe gjenocid.

Tash, 20 vjet më vonë, në Evropë janë ndërruar gjeneratat dhe kanë ardhur gjenerata të reja. E në Serbi kthehen në pushtet njerëzit e së kaluarës. Ata, sidomos Vuçiq e deri diku edhe Ivica Daçiq, ish-bashkëpunëtorë të Slobodan Milosheviqit, kanë ndryshuar sjelljen e edhe fjalorin. Por sa kanë ndryshuar në të vërtetë, nuk mund të thuhet me saktësi. Sepse sa herë që kanë pasur rast ata kanë shpërthyer me fjalor të së kaluarës. E kanë quajtur ish-shefin e tyre Milosheviq si “lider të madh”, ndërsa kanë fyer viktimat civile, përfshirë edhe ato të masakrës së Reçakut, duke i quajtur këto krime si të rrejshme. Në këtë mënyrë ata shkelin edhe një kusht të caktuar nga BE-ja, dënimin e krimeve të luftës.

Çfarëdo që të jetë, liderët e Serbisë i përfaqësojnë qytetarët e tyre që i zgjedhin. As në Prishtinë e as në Tiranë liderët shtetërorë nuk do të duhej të ngurronin të takoheshin me homologët nga Serbia, kushdo që të jenë ata. Takime ka pasur edhe në kohën kur vazhdonte lufta. Si bashkëbisedues duhet të pranojë këdo që qytetarët e Serbisë e zgjedhin.

Akullin e kanë thyer edhe liderët nga Prishtina e edhe nga Tirana dhe nuk kanë të drejtë t’i japin ligjërata morali njëri-tjetrit. Por në këto takime duhet të ruajnë dinjitetin, të mos jenë patetikë, të mos aktrojnë miqësinë dhe dashurinë e madhe përnjëherë. Në Tiranë duhet, megjithatë, ta kuptojnë se përmes forcimit të raporteve me Shqipërinë, Beogradi do që të injorojë Kosovën. Por as Kosova nuk mund të fajësojë politikanët e Shqipërisë kur bëjnë atë që e kanë bërë vetë liderët e Kosovës, takimet me udhëheqësit e Serbisë.

Nuk gabon Rama kur takon dhe mirëpret presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Por gabon kur qorton politikanët e Kosovës e sidomos kur në vend të përgjigjes qorton gazetarët për pyetje. Sepse, pa marrë parasysh se në çfarë mënyre janë bërë, pyetjet për mohimet që Vuçiq iu bën krimeve janë shumë relevante.

Janë relevante për procesin e pajtimit në rajon, për bashkëpunimin dhe për marrjen e përgjegjësisë për gabimet nga e kaluara. Pa marrjen e një përgjegjësie të tillë nuk do të ketë baza për pajtim, pa marrë parasysh se sa shtëpi do të rindërtojë Serbia për të ndihmuar viktimat e tërmetit në Shqipëri, sa do të njihet Vuçiq me kulturën shqiptare e sa lehtësime do të bëhen për qarkullimin e mallrave.

Vetëm disa ditë kur në Tiranë Vuçiq e Rama flisnin për lehtësimet e qarkullimit, mijëra shqiptarë të Kosovës u detyruan të prisnin më orë të tëra për të kaluar nëpër Serbi kur vinin në vendlindje për festat e fundvitit. Kjo dëshmon për mungesën e sinqeritetit të Serbisë, e cila në njërën anë flet për lehtësime të udhëtimeve e në anën tjetër i vështirëson ato.

Pse kanë të njëjtin flamur etnik, një gjuhë, një komb, Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete dhe kanë dy qeveri, dy presidentë dhe nga të dyja anët e kufirit, secili në fund të fundit do të japë përgjegjësi para votuesve të vet.