Përktheu: Migena Elezi
M’u desh një kohë e gjatë të kuptoja se klasifikime të tilla janë po aq mizore, sa janë edhe arbitrare.
Nuk më pëlqen klasifikimi i qenieve njerëzore në fitues dhe humbës. Ose mbase unë nuk e kuptoj si duhet. Kaloj ndërmend simbolet që identifikojnë ngadhënjimtarin. Mbi të gjitha, paratë – domethënë mundësia e sigurimit të gjërave të shtrenjta dhe një prirje për t’i shfaqur ato si dëshmi të epërsisë suaj. Ose ushtrimi i pushtetit, duke demonstruar me mjete shumë delikate se ju ndodheni një një shkallë më të lartë hierarkie. Ose njëlloj aristokracie që rrjedh nga fama e medias, gjak blu i famshëm që garanton se nuk keni nevojë të tërhiqni gjithnjë vëmendjen e të tjerëve – jeni mirëpritur me entuziazëm që në shikim të parë. Ose vënia në skenë e lumturisë së përhershme: kush ka paranë ushtron pushtet, gëzon statusin e një VIP-i, dhe për këtë arsye duhet të jetë i lumtur.
Përveç kësaj, gjithë këto simbole të pozicionit të fituesit shpejt do nxjerrin në pah se janë më pak se të vërteta dhe, mbi të gjitha, të pasigurta. Para, pushtet, famë, lavdi, lumturi – të gjitha mund të thërrmohen sa hap e mbyll sytë. Dhe sa herë që imazhi i fituesit të fashitet, pra kur shfaqja e fitores shndërrohet në dështim, bie po ashtu edhe ideja e humbësit; ajo kategori njerëzish që nuk kanë prona të shtrenjta, nuk kanë pushtet, nuk kanë famë, vetëm një ndjesi pakënaqësie si rrjedhojë e përshtypjes që ata kanë për dështimin.
Ndoshta spektri i vërtetë që fshihet pas këtij klasifikimi në fitues dhe humbës është pikërisht kjo: frika nga dështimi. Kjo ishte edhe ajo çfarë, si vajzë i frikësohesha më shumë. Dështimi në shkollë; dështimi për të fituar një vend pune; dështimi në çfarëdolloj prove, qoftë atletikë apo matematikë. Bëja përpjekje të stërmundimshme në gjithçka, madje edhe në ato që në pamje të parë dukeshin të parëndësishme, si për shembull një konkurs, sepse e ndieja se një dështim të çonte tek tjetri, për pasojë këtu e niste zanafillën lista e të mirës dhe të keqes. Kur përfundoni në listën e të këqijave, bëhet e vështirë të kalosh në listën e të mirave.
M’u desh kohë e gjatë të kuptoja se këto klasifikime ishin po aq mizore, sa ishin edhe arbitrare. Ato pretendojnë se as pabarazitë socioekonomike, as diskriminimi seksual dhe racor nuk ekzistojnë, madje as mbeturinat tejet të famshme të inteligjencës rezultat i kësaj. Përpilojmë lista të së mirës dhe të së keqes njëlloj sikur privilegjet e shumta që rrjedhin nga mundësitë të mos ekzistonin: vendi i lindjes, familja, pabarazia e mundësive.
Edhe sot, në këtë të ashtuquajtur pjesë të avancuar të botës, kushtet e pikëfillimeve janë shumë të padrejta, për ta menduar si një konkurs ku shanset janë të panumërta. Po të mundja, do t’i eliminoja koncepte të tilla si dështim, fitore dhe humbje, të cilat tashmë nuk kanë asnjë bazë. Nëse do të ishte vërtet e nevojshme, do ta kufizoja veten nga një konkurs i tipit garat e asambleve që Liza ndesh në botën e çudirave. Askush nuk humbet, të gjithë fitojnë dhe nuk ka dështim.