MENU
klinika

43 mijë familje jetojnë me paratë e emigrantëve

Varfëria kërcënon mbi 600 mijë shqiptarë

12.02.2020 - 11:14

Një ndër çështjet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme për një ekonomi është pabarazia e të ardhurave. Në Shqipëri, por edhe në shumicën e vendeve në zhvillim, ekziston perceptimi se pabarazia është më e madhe se në ekonomitë e zhvilluara.

Koeficienti Gini, koeficienti i pabarazisë, ka një shkallë nga zero deri në 100, ku zero nënkupton barazinë e plotë, ndërsa 100 pabarazinë e plotë. Mbështetur në të dhënat e INSTAT, për vitin 2018 koeficienti Gini për Shqipërinë ishte 35.4%, në rënie nga niveli 36.9% i vitit 2017.

Kjo nënkupton se pabarazia ka ardhur në rënie. Sidoqoftë, Shqipëria ngelet një vend me pabarazi më të madhe krahasuar me ekonomitë më të zhvilluara. Për vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), që përgjithësisht pranohen si vendet me ekonomi më të zhvilluara, mesatarisht indeksi Gini është në nivelin 31%, ose 4.4 pikë përqindje më i ulët se në Shqipëri. Për Bashkimin Europian, mesatarja e indeksit Gini është pothuajse në të njëjtin nivel. Vendet me pabarazinë më të ulët, sipas OECD-së, janë Sllovenia, Sllovakia dhe Republika Çeke, ku indeksi Gini qëndron poshtë nivelit të 25%.

671 mijë shqiptarë janë të kërcënuar nga varfëria.

Shqiptarët janë ndër popujt më të rrezikuar nga varfëria në Europë. INSTAT ka publikuar për herë të parë në fund të vitit 2019 rezultatet e anketës së të ardhurave dhe nivelit të jetesës bazuar në konceptet e varfërisë relative dhe rrezikut për të qenë i varfër. Kjo teknikë bazohet në metodologjinë e Eurostat dhe është burimi bazë për krijimin e statistikave të krahasueshme me Bashkimin Europian, në lidhje me shpërndarjen e të ardhurave dhe nivelin e jetesës. Anketa tregoi se për vitin 2018 shkalla e rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri ishte 23.4%, nga 23.7% që pati qenë në vitin 2017. Ky tregues, përcaktuar edhe si kufiri i varfërisë relative, jep përqindjen e individëve me të ardhura vjetore nën 60% të medianës së të ardhurave të ekuivalentuara kombëtare.

Kufiri i varfërisë relative për vitin 2018 u rrit ndjeshëm në rreth 161 mijë lekë, nga 145 mijë lekë që ishte një vit më parë. Sipas Instat, janë gjithsej 671 mijë shqiptarë që jetojnë poshtë kufirit të varfërisë relative, 10 mijë më pak krahasuar me vitin 2017. Fakti që varfëria relative ka rënë, pavarësisht rritjes së ndjeshme të kufirit ndarës, mund të interpretohet si një zhvillim pozitiv. Por, sidoqoftë treguesi i rrezikut të varfërisë në Shqipëri ngelet në vendin e tretë më të lartë në Europë. Vetëm serbët dhe rumunët kanë një shkallë më të lartë të varfërisë relative. Për Bashkimin Europian ky tregues vitin e kaluar ishte 16.9%.

Po të bëjmë një krahasim statistikor, rezulton se rreziku i varfërisë për shqiptarët është 38% më i lartë krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian. Sipas Instat, e ardhura mesatare për frymë e shqiptarëve gjatë vitit 2018 ishte pak më shumë se 26 mijë lekë në muaj. Krahasuar me vitin 2017, të ardhurat mesatare të shqiptarëve u rritën me 6.6%.

Papunësia në nivelin më të ulët në 30 vjet…

Papunësia po i reziston ngadalësimit të ekonomisë, madje duke shënuar një tjetër rënie në tremujorin e tretë të vitit. INSTAT bën të ditur se shkalla e papunësisë ra në 11.4%, nga 11.5% që kishte qenë në tremujorin e dytë. Ky është njëkohësisht niveli më i ulët i papunësisë në statistikat zyrtare për periudhën post-komuniste. Pjesërisht, ulja e papunësisë në këto përmasa është surprizuese. Për tre tremujorët e parë të vitit 2019, rritja ekonomike ishte në kufijtë e 2.8%, ndjeshëm më e ulët krahasuar me rritjen prej mbi 4% të vitit 2018. Sektorë të veçantë, si energjetika apo lojërat e fatit kanë pësuar një goditje të ndjeshme gjatë këtij viti, që pritej të reflektohej edhe në treguesit e papunësisë.

Por, mbështetur në statistikat zyrtare, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Përkundrazi, papunësia është ulur dhe shkalla e punësimit për popullsinë në moshë pune është rritur më tej në 61.5%. Njëlloj si papunësia, edhe shkalla e punësimit ka arritur një nivel rekord për 30 vitet e fundit. Sidoqoftë, veç një tendence pozitive në tregun e punës, mund të hipotetizohet se tendenca e emigrimit të popullsisë në vitet e fundit, sidomos mes të rinjve, e ka tkurrur ndjeshëm kontigjentin e punëkërkuesve potencialë, duke ndikuar në përmirësimin e treguesve të punësimit në ekonomi. Por, pavarësisht nga tabloja e përgjithshme pozitive, integrimi i të rinjve në të ngelet ende i vështirë. Shkalla e papunësisë mes tyre është 21.4%, pothuajse dy herë më shumë krahasuar me papunësinë mesatare.

…Por 117 mijë shqiptarë nuk gjejnë punë prej më shumë se një viti

Pavarësisht se shkalla e papunësisë është në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë, në Shqipëri ka rregullisht rreth 117 mijë njerëz që nuk arrijnë të gjejnë punë prej më shumë se një viti. Të dhënat e INSTAT tregojnë se nga 173 mijë të papunë që regjistroheshin për vitin 2018 në Shqipëri, rreth 68% ishin të papunë afatgjatë. Kjo shifër i referohet vetëm punëkërkuesve aktivë, pa përfshirë këtu të papunët e dekurajuar ose ata që thjesht nuk kanë dëshirë të punojnë.

Në tërësi, statistikat e tregut të punës në Shqipëri tregojnë një tendencë pozitive. Shkalla e papunësisë është në nivelin më të ulët historik, prej 11.4%, ndërsa në vlerë absolute numri i të papunëve ka rënë me 21% në katër vitet e fundit. Sidoqoftë, fakt është se pesha e të papunëve afatgjatë kundrejt numrit total të punëkërkuesve është rritur në 68%, nga rreth 64% që ishte katër vjet më parë.

Kjo dëshmon se gjetja e një pune për shqiptarët nuk është aq e lehtë dhe ndoshta arsyeja duhet kërkuar te papunësia strukturore, e cila vjen nga mospërputhja e kërkesës dhe ofertës për punë. Fenomeni, i ilustruar shpesh vitet e fundit me parullën “punë ka, por nuk ka profesionistë”, po rezulton i vështirë për t’u adresuar. Mungesa e punonjësve të specializuar është një nga problemet kryesore që rezulton prej anketimeve të ndërmarrjeve, sidomos atyre prodhuese, në vend.

Problemi bëhet edhe më i mprehtë po të shohim nivelet shumë të larta të pasivitetit, veçanërisht mes më të rinjve. Instat raporton se rreth 29% e të rinjve nga 15 deri në 29 vjeç nuk janë as në punë dhe as në shkollë apo në ndonjë kurs formimi profesional. Por, brenda këtij kontigjenti, pjesa dërrmuese, rreth 63%, nuk kërkojnë punë dhe janë ekonomikisht jo-aktivë.

Afro 43 mijë familje jetojnë vetëm me paratë e emigrantëve

Rreth 43 mijë familje shqiptare kanë remitancat si të vetmin burim jetese. Një vrojtim i Bankës së Shqipërisë për financat dhe konsumin e familjeve shqiptare gjatë këtij viti evidenton edhe njëherë varësinë e lartë të Shqipërisë ndaj remitancave. Afërsisht 23% e gjithë familjeve marrin dërgesa nga jashtë, ndërsa 6% e familjeve nuk kanë burim tjetër veç tyre. Për rreth 60% të familjeve, të ardhurat nga remitancat janë më pak se 1200 euro në vit ose 100 euro në muaj. Ndërkohë, familjet që marrin remitanca i shpenzojnë rreth 69% të të ardhurave mujore për ushqim.

Duke kombinuar këto të dhëna, mund të arrijmë qartë në përfundimin se për shumë familje remitancat janë burimi që sigurojnë mbijetesën. Mbështetur në të dhënat e vrojtimit, përqendrimi më i lartë i familjeve që marrin remitanca është në qarqet e Elbasanit, Tiranës dhe Vlorës. Për familjet që marrin remitanca, ato përbëjnë mesatarisht më shumë se një të tretën e të ardhurave të tyre mujore.

Nëse përfshirja financiare është një problem për gjithë shoqërinë shqiptare, për segmentin e familjeve që marrin remitanca ky problem është edhe më i theksuar. Vetëm 7.5% e familjeve që marrin remitanca kanë një llogari bankare. Për shumicën e tyre, remitancat dërgohen në mënyrë informale ose përmes institucioneve financiare të posaçme, që kanë kosto ndjeshëm më të larta në raport me bankat.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Të dhënat nga Eurostat për Shqipërinë

“Vendi me pabarazinë më të madhe në Evropë”