MENU
klinika

Impakti i kërkesës

Kredia e re për biznesin u rrit me 3 mld lekë për muajin Shkurt

07.04.2020 - 12:09

Sistemi bankar e ka rritur ndjeshëm huadhënien e re për bizneset gjatë muajit shkurt. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për shkurtin sipërmarrja private përfitoi 14.2 miliardë lekë kredi të re, gati tre miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e kredisë së re ka ardhur sidomos nga industria përpunuese, ku kredia e re është trefishuar krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar dhe ka arritur në 3.1 miliardë lekë. Kredia e re ruajti nivele të larta edhe për dy sektorët e tjerë kryesorë në huadhënie, tregtinë dhe ndërtimin. Tregtia, industria përpunuese dhe ndërtimi së bashku morën rreth 70% të kredisë së re të disbursuar nga sektori bankar për biznesin.

Tendenca pozitive e kreditimi ka vijuar edhe në muajt e parë të vitit 2020. Portofoli i kredisë në fund të muajit shkurt arriti në rreth 579 miliardë lekë, në rritje vjetore me 7%. Huaja për bizneset private ngelet shtylla kryesore e kreditimit, me rreth 59% të portofolit total.

Kërkesa e bizneseve dhe familjeve për kredi është shfaqur në përmirësim dhe tërmeti i vitit të kaluar duket se ka pasur impakt më të vogël nga sa mendohej te kjo kërkesë. Nga ana tjetër, edhe oferta e bankave vlerësohet të ketë lehtësuar ndjeshëm, falë uljes së raportit të kredive me probleme dhe procesit të ristrukturimit të sistemit bankar.

Ky proces ka prodhuar banka më të mëdha dhe më solide, ndërsa ka sjellë në treg edhe investitorë të rinj, me ambicie për t’u rritur.