Edhe pse me veprën e tij njihemi shumë vonë, në vitin 1970 nga studiuesi italian Agostino Pertuzi, në figurën e shquar të Martin Segonit shohim për të parën herë një interesim për çështjen shqiptare. Pasues të denjë të veprës së tij kemi Marin Beçikemin e Marin Barletin.
Publiku shqiptar do të njihet me kontributin e këtij humanisti nga dy studiesit, Dhimitër Shuteriqi dhe Aleks Buda që ia paraqitën fillimisht konferencave shkencore e më pas publikut të gjerë “zbulimin” e tyre.
Si për të gjithë humanistët arbëresh të kohës, origjina e Segonit është e dyshimtë. Studiuesi italian Pertuzi është i bindur në prejardhjen e tij arbërore, por ka teza që atij i atribuojnë kombësi sllave, serbe apo kroate. Është Shuteriqi ai që jep detaje mbi jetën e Segonit, duke treguar se ai ka shërbyer në kishën katolike Novobërdës, krahinë arbërore, çka rrëzon rrëzon tezën e prejardhjes serbe.
Sipas Shuteriqit, Segoni është ose dalmatin, ose shqiptar, por në asnjë mënyrë serb.
Një prej shkrimeve të tij më me velrë është “Tregim mbi Gjergj Kastriotin” i cili, sipas studiuesve, ka trajtën e një skice letrare e historike, me informacione të rëndësishme për figurën e heroit tonë kombëtar.
Segoni ka trajtuar momentet më kyçe të jetës së Skënderbeut duke filluar qysh me marrjen e tij në oborrin e sulltanit, e duke përfunduar me kthimin e tij në Krujë dhe triumfet e njëpasnjëshme.
Sipas Segonit, Papa e çmonte shumë figurën e heroit tonë kombëtar. Kjo gjë vërtetohet edhe nga titulli “Atlet i Krishtit” dhënë prej Papës për Gjergj Kastriotin. Segoni na thotë se Papa e çmonte aq shumë Skënderbeun, sa e zgjodhi edhe si Kapiten të Përgjithshëm. Por informacioni është i paplotë, pasi ai nuk thotë se kapiten të përgjithshëm të kujt e zgjodhi e as se për sa kohë e mbajti këtë pozitë.
Është interesante shfaqja që i bëhet Skënderbeut dhe natyrës së tij. Ai jepet me një temperamet të gëzuar dhe të gjallë. Sipas Segonit, fjalimet e tij ishin aq të zjarrta, sa “ndiznin peshë zemrat e ushtarëve e shqiptarëve”.
Gjithashtu, Segoni është i pari që flet për shpatën (pallën) e Skënderbeut, duke e shpjeguar gjerë e gjatë.
Bagazhi kulturor i Segonit nuk mund të diskutohet për sa kohë ai, në vitin 1475 përfundon doktoraturën në Universitetin e Padovas. Duke qenë se të dhënat biografike për të mungojnë, mund të themi se ai ishte 30 ose 35 vjeç në këtë moshë e nga kjo, mund të nxjerim edhe një vit si të mundshëm për lindjen e tij (1440 ose 1445, pra së paku katër dekada pas të parit humanist, Gjon Gazullit).
Gjithashtu, Segoni është autor edhe i disa realcioneve që sot vlejnë si burime informacioni për trojet shqiptare. Ai flet mbi “Rruga Egnatia që nis në Epir ose Durrës”, “Mbi fillimin, lidhjen dhe rrjedhën e lumenjve të dy Drinave”, “Rruga bregdetare e Kandavisë që kalon nga Apolonia” e të tjera.
Një dokument i çuditshëm është relacioni që ai i dërgon Papa Siksit VI në të cilin flet për Luftën e Kosovës (1389), rënien e Krujës (1478) dhe rënien e Shkodrës (1479). Në po të njëjtin relacion, ai propozon edhe një kryqëzatë me atë të së cilës të largonte invadimin turk përtej Adriatikut. Data e këtij realcioni nuk dihet.
Vepra e Segonit, pa dyshim është shumë më e gjerë se kaq, por deri më sot kaq është mundur të zbulohet
Ishte viti 1482 kur Segoni emërohet Ipeshkëv i Ulqinit dhe, sipas relacioneve të kohës, “…ai ishte në fund të jetës.” Tre vjet më vonë, Martin Segoni vdes.
Vepra dhe personaliteti i Martin Segonit është një ndër gur – themelet më të hershëm të panteonit humanist shqiptar.
A.D