MENU
klinika

Analiza/ "Është më e rëndë nga sa kemi parë"

Sa është shkalla e vdekshmërisë nga koronavirusi?

18.04.2020 - 14:20

Ndërkohë që debati kryesor është se si dhe kur do të rihapet ekonomia, një pyetje thelbësore në lidhje me pandeminë e koronavirusit mbetet ende pa përgjigje: Sa vdekjeprurëse është kjo sëmundje?

“Shkalla e vdekshmërisë ” e covid-19 ndryshon në mënyre drastike nga një shtet në tjetrin. Në Gjermani, nga 100 persona të infektuar më pak se 3 veta kanë ndërruar jetë. Në Itali numri është pothuajse pesë herë më i lartë, sipas shifrave zyrtare. Singapori, i njohur për testimin e tij të kujdesshëm, gjurmimin e kontakteve dhe izolimin e pacientëve, pati vetëm 10 vdekje nga 4,427 raste deri në 16 prill. Kjo tregon një shkallë të ulët fataliteti prej 0.2 përqind, rreth dy herë më shumë se gripi sezonal.

Në Shtetet e Bashkuara, shkalla e vdekshmërisë ka lëvizur në mënyrë të qëndrueshme, nga rreth 1.35 përqind në fund të marsit në mbi 4 përqind në 15 Prill, sipas shifrave të përpiluara nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Covid-19 zakonisht kërkon disa javë që të bëhet mjaftueshmërisht agresive për të vrarë një pacient, dhe rritja e numrit të infektuarëve tregon progresin gradual të sëmundjes , e kombinuar me zbulimin e vdekjeve të reja.

Pa testime për të zbuluar se sa njerëz janë infektuar, mbetet e pamundur të përcaktohet saktësisht vdekshmëria e virusit në çdo komunitet ose grup demografik. Studiuesit janë të sigurtë që shumica e të infektuarëve rezultojnë asimptomatik. Në Michigan , ku shkalla e vdekshmërisë është rritur në 7.2 përqind, ekspertët e shëndetit publik dhe zyrtarët këmbëngulin se u duhen më shumë teste dhe të dhëna të tjera. “Sinqerisht, ne flasim për këtë çdo ditë,” tha drejtori mjekësor i Shërbimit të Emergjencës Mjekësore të Detroit, Robert Dunne. “Kjo është diçka që ne të gjithë po pyesim. Cili është niveli aktual i fatalitetit?

Mungesa e testimit dhe problemet e tjera në sistemin shëndetësor, kanë sjellë shqetësimin se nuk po raportohet numri i saktë i vdekjeve nga Covid-19 . Në disa raste, vendet kanë ndryshuar numrin e tyre pas ripërcaktimit të asaj që konsiderohet si një vdekje e lidhur me koronavirusin.

Të Premten, Kina pranoi se shumë njerëz në Wuhan, kanë vdekur të pa diagnostikuar në ditët e para të shpërthimit, dhe qeveria rriti numrin e vdekjeve në Wuhan me 50 përqind , nga 2.579 në 3,869. Vendet evropiane si Franca dhe Spanja kanë vërejtur se “vdekshmëria nga të gjitha shkaqet”, veçanërisht te të moshuarit, ka qenë jashtëzakonisht e lartë gjatë pandemisë.

“Ju duhet të bëni më shumë testime,” tha Teena Chopra, profesore e asociuar e mjekësisë në departamentin e sëmundjeve infektive në Universitetin Shtetëror të Ëayne. Pa testimin, tha ajo, ekspertët e shëndetit publik janë të detyruar “të jetojnë në një botë të panjohur dhe në një mjedis të panjohur”.

Në ditët e para të shpërthimit në Kinë, shkencëtarët në mbarë botën kuptuan se ky ishte një virus jashtëzakonisht ngjitës që mund të çonte në një pandemi. Por ata ishin të kujdesshëm për të bërë krahasimin me pandeminë e gripit të vitit 1918. Dy pandemitë u shkaktuan nga viruse krejtësisht të ndryshme, dhe vdekshmëria e tyre varet nga shumë faktorë, duke përfshirë ndjeshmërinë e popullatës. Pandemia e 1918 ndodhi kur sëmundjet virale nuk kuptoheshim mirë, ndërhyrjet mjekësore ishin primitive, dhe shumë shtete ishin të përfshira në një luftë të tmerrshme, shqetësuese që çoi në një censurim të lajmeve për infektimin.

Askush nuk e di saktësisht se sa njerëz vdiqën nga gripi në 1918; vlerësimet variojnë nga 15 milion në 100 milion në nivel global. Historianët vlerësojnë se virusi vrau rreth 675,000 njerëz në Shtetet e Bashkuara në tre valët e pandemisë. Në ndryshim nga kjo pandemi aktuale, njerëzit e moshuar në 1918 dukej se kishin të paktën imunitet të pjesshëm ndaj virusit të gripit, ndoshta prej ekspozimit ndaj gripit pandemik më herët në jetën e tyre. Mosha mesatare e një viktimë në 1918 ishte vetëm 28 vjeç, sipas Cecile Viboud, një epidemiolog në Qendrën Ndërkombëtare Fogarty, pjesë e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Edhe me këto ndryshime, vdekshmëria dhe virulenca e koronavirusit, së bashku me aftësinë e tij për t’u përhapur dhe për të shkatërruar ekonominë, e ka bërë vitin 1918 pikën e pashmangshme të krahasimit për ekspertët e sëmundjes infektive.

“Nëse, në të vërtetë, shkalla e vdekshmërisë është më e lartë se ajo e gripit të 1918, atëherë ky virus e ka potencialin për të vrarë edhe më shumë njerëz,” tha Donald Forthal, një imunolog në Universitetin e Kalifornisë në Irvine. “Nuk ka ndodhur asgjë e tillë në brezin tim. Ose brezin e prindërve të mi. Ishte brezi para tyre që jetoi përgjatë vitit 1918. “

Një studim zbuloi se pandemia e 1918-1920 vrau 218 për çdo 100,000 njerëz. Pandemia aktuale deri më tani nuk është në asnjë mënyrë afër këtij nevili vdekshmëriem, por virusi është përhapur vetëm për disa muaj. Në Spanjë, numri i të vdekurve tashmë është 41 persona për 100,000 persona; në Belgjikë është 45. Në shtetin e Nju Jorkut, është 63, dhe ky numër rritet edhe më shumë nëse merrni parasysh numrin e “mundshëm” të vdekjeve në Nju Jork Siti .

Pra, a është koronavirusi si vdekjeprurës? “Kjo varet nga sa zgjat,” tha Jason Oke, një staticiene në Universitetin e Oksfordit. Një vaksinë e sigurt dhe efektive mund të kërkojë së paku një vit. Kjo lë distancimin shoqëror, si të vetmin mjet për të luftuar pandeminë. Një punim i botuar rishtazi në revistën Science argumenton se disa shtrëngime do të jenë të nevojshme deri në vitin 2022.

Virusi i quajtur zyrtarisht SARS-CoV-2 nuk është vetëm ngjitës dhe vdekjeprurës, por është edhe jashtëzakonisht i paparashikueshëm. Mund të vrasë një njeri ose të mos lërë aspak shenjë. Shumica e rasteve klinike janë të buta deri në mesatare dhe njerëzit mund të shërohen në shtëpi. Pacientët shpesh shohin se simptomat janë të paparashikueshme, dhe ndonjëherë një pacient i cili duket se po shërohet papritur përkeqësohet.

Ekziston shqetësimi për efektet afatgjata për personat e shëruar. Covid-19 është kategorizuar si një sëmundje e frymëmarrjes, por mjekët kanë zbuluar se mund të prekë shumë organe , përfshirë zemrën, mëlçinë dhe veshkat.

“Virulenca” e virusit – aftësia e tij për të shkaktuar sëmundje – po del në pah në mënyrë të vazhdueshme. Sëmundja ka shumë më shumë mundësi të shkaktojë pasoja të rënda te njerëzit e moshuar, ku mosha e tretë janë më të rrezikuarit. Megjithatë, në çdo gupmoshe, përfshirë në grup moshën 85 vjeç e sipër, shumica e të infektuarëve do të shërohen.

Hulumtimet paraprake tregojnë se virusi nuk po pëson mutacion të ndjeshëm, dhe nuk ka prova që disa vende po përballen me një formë më virulente të SARS-CoV-2. Ajo që është dukshëm e ndryshme nga një vend në tjetër është profili demografik. Disa vende evropiane me popullsi relativisht të moshuar – Belgjika, Franca, Italia, Hollanda, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar – po raportojnë shifra zyrtare që barazohen me nivelet e fatalitetit mbi 10 përqind. Ka edhe vende evropiane që po ecin shumë më mirë, si Norvegjia dhe Gjermania, ku shifra është në intervalin 2 deri në 3 përqind.

“Mendoni për Italinë dhe Gjermaninë,” tha Carlos del Rio, një epidemiolog në Universitetin Emory. “Ata janë mjaft afër me njëri-tjetrin. . . por një nga gjërat që është qartësisht e ndryshme është mosha mesatare e pacientëve në Itali është 63 ose 64 vjet; mosha mesatare e pacientëve në Gjermani është 47. Vdekshmëria është shumë më e ulët [në Gjermani] sepse ata shmangën infeksionin e popullatës më të vjetër. ”

Faktori tjetër kryesor në vdekshmëri janë sëmundjet kronike. Shumica e njerëzve të shtruar në spital me raste të rënda të covid-19 kanë sëmundje kronike si diabeti, sëmundjet e mushkërive dhe sëmundjet e zemrës. Kur ekziston një përqindje e lartë e sëmundjeve shoqëruese si presioni i lartë i gjakut, koronavirusi gjithashtu pritet të jetë më vdekjeprurës. Ky është një problem kritik për njerëzit me ngjyrë dhe ata që jetojnë në komunitete të varfra, të cilët kanë nivele më të larta të sëmundjeve bashkangjitëse dhe shpesh kanë më pak akses në kujdesin shëndetësor.

Gjithashtu kritike është natyra dhe qëndrueshmëria e sistemit kombëtar shëndetësor. Për shembull, Japonia, ku shkalla e fatalitetit është 1.6 përqind, dhe Singapori po raporton norma jashtëzakonisht të larta të shtrimit në spital për pacientët me koronavirus, në 80 përqind dhe më të lartë, shifra që nuk konstatohen në Shtetet e Bashkuara. Por kjo ndoshta ndihmon në përmirësimin e trajtimit dhe gjithashtu zvogëlon përhapjen e sëmundjes duke izoluar pacientët. Rezultati është më pak vdekje.

Disa nga vendet me shkallë të ulët fataliteti – Gjermania, Koreja e Jugut, Norvegjia – kanë shkallë shumë të lartë të testimeve. Kjo u dha atyre një vështrim më të mirë të sëmundjes brenda kufijve të tyre. Këto pabarazi mund të shihen brenda Shteteve të Bashkuara. John Balmes, një profesor në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko School of Medicine, i cili po punon me pacientë me covid-19 në Spitalin e Përgjithshëm të Zuckerberg San Francisco, vuri në dukje se spitali trefishoi kapacitetin në kujdesin intensiv duke shtuar mjekë, infermierë dhe teknikë ndërsa qyteti miratoi masa distancimi pak përpara Nju Jorkut. Shteti i New York, i cili tani ka zhvilluar nivele të larta të testimit të koronavirusit, ende po raporton një normë zyrtare të fatalitetit prej 5.4 përqind.

Në fillim të shpërthimit, shkalla e fatalitetit të rasteve në Kinë ishte 2.3 përqind . Kjo ishte një shifër alarmante, duke sugjeruar që një pandemi globale mund të vriste miliona njerëz. Pastaj më 3 mars kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha në një konferencë shtypi se niveli global i fatalitetit ishte 3.4 përqind. Kjo u trajtua si një zbulim në lidhje me vdekshmërinë e sëmundjes, por në fakt ishte thjesht raporti i vdekshmërisë i papërpunuar i OBSH për rastet e konfirmuara të covid-19 deri në atë moment. Por prej më shumë se 1 muaj më vonë, numri i OBSH është edhe më i lartë: Me 16 Prill, OBSH tregoi një shkallë globale fataliteti prej 6.6 përqind midis rasteve të konfirmuara.

Çdo numër i vdekshmërisë, në përgjithësi, është një numër i pasaktë. E megjithatë në mes të një epidemie, është e vështirë të bësh më mirë. Me këtë koronavirus në veçanti, testimi jo adekuat do të thotë se shumë infeksione raste të infektuarish nuk janë identifikuar. Dikush që është asimptomatik ose ka vetëm një rast të butë nuk ka gjasa të kërkojë një testim. Kjo e bën që një virus të shfaqet më vdekjeprurës sesa është në të vërtetë.

Madhësia e këtij grupi asimptomatik mund të jetë i madh, siç sugjerojnë disa studime paraprake shkencore në javët e fundit. Një studim i ri nga studiuesit në Stanford, kërkoi për antitrupa koronavirus në mostër të një popullatës në Santa Clara County, Calif., dhe arriti në përfundimin se niveli aktual i infeksionit në fillim të prillit ishte 50 deri në 85 herë më i madh se shkalla e rasteve të konfirmuara.

Kur është bërë një testim i gjerë, vlerësimet për shkallën e vdekshmërisë së rasteve shpesh janë nën 1 përqind, The Post ka zbuluar, duke sugjeruar që këto vende po afrohen me një normë që merr parasysh të gjitha infeksionet. Në Islandë, e cila ka testuar mbi 10 përqind të popullsisë, shumë më tepër se vendet e tjera, shkalla e vdekshmërisë është vetëm 0.5 përqind.

Çdo kërkim për një numër global të fatalitetit të rasteve do të duhet të bashkojë numra të tillë me ato nga vendet që aktualisht kanë nivele të larta fataliteti zakonisht mbi 3 përqind. Epidemiologu i Harvardit, Marc Lipsitch ka shkruar se ai dhe shumica e ekspertëve dyshojnë se niveli i vdekshmërisë është rreth 1 deri në 2 përqind për rastet simptomatike. Shkalla e vdekshmërisë 1 përqind është 10 herë më e lartë se niveli mesatar i vdekshmërisë për gripin sezonal.

“Ndoshta është një shkallë më e lartë për Covid-19,” tha Viboud, epidemiolog NIH. “Është më e rëndë për sa i përket vdekshmërisë sesa pandemitë që kemi parë që nga viti 1918.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Efekti flutur i COVID-19 dhe pritja për pikun

“Korona është si tërmet, shkundje që do ta ribëjë botën”!