MENU
klinika

Financat: Të shtyhet procesi

Rivlerësimi i pronave deri në dhjetor?

08.05.2020 - 13:20

Pas Agjencisë së Kadastrës, është Ministria e Financave dhe Ekonomisë që ka kërkuar shtyrjen e procesit të rivlerësimit të pasurive të papajtueshme, i parashikuar të përfundojë në shtator të këtij viti. Ky propozim i Ministres së Financave dhe Ekonomisë vjen si pasojë e situatës së krijuar në vend nga pandemia e COVID-19, e cila ka ndikuar në shumë procese të punës së administratës shtetërore, përfshirë edhe ato të Agjencisë së Kadastrës Shtetërore, e cila është përgjegjëse për marrjen e aplikimeve nga qytetarët që duan të rivlerësojnë pasurinë.

Procesi nisi zyrtarisht më 7 shkurt të këtij viti, por bllokimi i lëvizjes së qytetarëve, ashtu si edhe pezullimi i punës së disa institucioneve, kanë bërë që shumë pak qytetarë të aplikojnë për rivlerësimin e pronave të tyre. Ndërkaq, ishte parashikuar që prioritetet në këtë proces t’u jepej qytetarëve që planifikonin t’i shisnin pronat apo t’i vendosnin si kolateral në banka për të marrë kredi, për të cilët kadastra kishte lënë një hapësirë kohore në muajt shkurt dhe mars.

Përfitues nga kjo lehtësi fiskale janë kryesisht qytetarët të cilët e kanë fituar të drejtën e pronave që prej viteve 90, të cilët në rast shitjeje, janë të detyruar të paguajnë shuma të konsiderueshme prej rritjes në vite të vlerës së pronës së tyre. Sa për të sjellë një shembull, një qytetar që e ka përfituar banesën me çmimin 1 milionë lekë, ndërkohë që ajo sot kushton 10 milionë lekë, do të paguante një tatim fitim prej 1.3 milionë lekësh. Ndërkohë që rivlerësimi i saj kushton më pak se 300 mijë lekë, e tatimfitimi që do të paguante më pas është në masë të papërfillshme.

Sipas Ministrisë së Financave vlerësohet se janë rreth 40 mijë familje që do të përfitonin ndjeshëm nga ky proces, ndërkohë që efekti i tij në buxhet mendohet të jetë afërsisht 4 miliardë lekë, apo 40 milionë dollarë.

Në vitin 2017, kur u bë edhe rivlerësimi i fundit, brenda një 6-mujori, buxheti i shtetit ka arkëtuar rreth 20 milionë dollarë, ndërkohë që për shkak të taksës së ulët, qytetarët kanë kursyer 156 milionë dollarë të cilat do t’i kishin derdhur në shtet në formën e tatimfitimit në rast se nuk do kishin rivlerësuar pasuritë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN