Së fundmi, agjencia kanadezo-amerikane “Resonance”, ka publikuar listën me dhjetë qytetet më të gjelbërta në botë. Kryeqyteti austriak Vjena, ka zënë vendin e parë në listë. Qyteti i Mynihut në Gjermani, vjen menjëherë pas saj.
Organizata ka përzgjedhur në mbi njëqind qytete në botë, duke marrë në shqyrtim çështje të ndryshme.
Lista e qyteteve të gjelbërt është shpallur bazuar në shtrirjen e sipërfaqes së gjelbër në qytet, energjinë e rinovueshme, sasinë e ndotjes së ajrit, sistemin e transportit publik, rrugët miqësore për këmbësorët etj. Kryeqyteti austriak, zuri vendin e parë këtë vit. Në vendin e dytë është Mynihu, Gjermani dhe në të tretin është Berlini.
Transporti publik i Vjenës është i njohur si një pikë referimi për Evropën dhe rreth gjysma e popullsisë përdor biletat e transportit publik vjetor, sipas “Reconance”. Kryetari i Vjenës, Michael Ludwig, ndërkohë, tha se parqet dhe pyjet e gjelbërta të Vjenës, janë të hapura për të gjithë, duke ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së jetës për vjenezët.
Ai shtoi, se parqet e hapura dhe pyjet e gjelbërta janë burime të rëndësishme për qytetin në këtë kohë të ndryshimit të klimës. Në vitet e fundit, kryeqyteti austriak kryeson listën e qyteteve më të rehatshëm për të banuar, në të gjithë botën.