Çfarë po ndodh në ekonominë shqiptare. Ndihma e deritanishme e qeverisë për sektorin privat dhe zgjerimi i fashës së përfituesve të pagesës 40 mijë lekë. Ekspertët: Qeveria të mbështesë bizneset dhe të ndërmarrë reforma strukturore. Flasin për gazetën “Fjala” eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, dhe kreu i Shoqatës së Bizneseve të Vogla dhe të Mesme, Albert Nasto
Ndërsa COVID-19 herë zbutet dhe herë ngre “krye”, ekonomia duket se po vuan një “sëmundje” e cila parashikohet të jetë e gjatë dhe “kura” e vetme është ndërhyrja e shtetit për rimëkëmbjen. Deri më tani paketat finaciare i kanë dhënë frymëmarrje ekonomisë, duke u përqendruar kryesisht në pagat për personat që humbën punën, por fazat e tjera parashikojnë ndërhyrjen direkte për të dalë nga kriza e thellë që ka përfshirë jo vetëm vendin tonë, por mbarë botën.
Punonjësit e subjekteve private që janë pezulluar, janë larguar përfundimisht, ose nuk janë paguar gjatë periudhës së pandemisë, do të paguhen nga buxheti i shtetit. Në listën e përfituesve të pagës 40 mijë lekë do të shtohen edhe 63 mijë punonjës të sektorit privat, të cilët nuk kanë marrë asnjë të ardhur që nga fillimi i pandemisë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka njoftuar ndryshimet për paketën e zgjeruar të ndihmës financiare, aplikimet për të cilën do të pranohen deri në datën 5 qershor 2020.
Sipas këtyre ndryshimeve, janë përfitues të ndihmës prej 40 000 lekësh të gjithë individët, ish-punësuarit në subjektet që janë lejuar të kryejnë aktivitetet ose janë mbyllur sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët janë larguar nga puna nga data 1 mars 2020 deri në datën 17 maj 2020.
Në rastet kur punëdhënësi nuk do ta kryejë aplikimin brenda datës 5 qershor 2020, të gjithë individëve përfitues do t’u jepet mundësia për përfitimin e ndihmës financiare, në mënyrë automatike pas verifikimit të kritereve, bazuar në të dhënat që administrata tatimore disponon, apo të dhënave që të punësuarit apo ish-punësuarit do të dorëzojnë. Individët duhet të plotësojnë kërkesën për përfitimin e ndihmës financiare.
Trajtimi i këtyre kërkesave do të jetë në mënyrë automatike, pra pas dorëzimit të formularit të plotësuar, në seksionin statusi shfaqet shënimi miratuar, që do të thotë se kërkesa është miratuar automatikisht dhe do të vijohet me pagesën e ndihmës financiare prej 40000 lekësh. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, janë të paktën 60 mijë persona që kanë humbur vendin e punës, mijëra biznese kanë pezulluar aktivitetin apo e kanë mbyllur atë përfundimisht.
Për t’u kthyer aty ku ishte, në momentin që nisi pandemia, ekonomisë shqiptare do t’i duhen 2-3 vite ristrukturim dhe gjetje e tregjeve të reja. Ekspertët e ekonomisë bien dakord me skemën që ka zgjedhur qeveria për mbështetjen e punonjësve, por pohojnë se qeveria duhet të ndërmarrë masa të tjera shtesë për t’u ardhur në ndihmë bizneseve, të cilat janë motori kryesor i krijimit të vendeve të reja të punës e, për rrjedhojë, i zhvillimit të ekonomisë.
Rihapja e aktiviteteve ekonomike mund të vlerësohet si start për t’u rimëkëmbur, por aktorët e tregut dhe ekspertët pohojnë se bizneset dhe të punësuarit e tyre do të hasin një sërë vështirësish deri sa të mund të kthehen në normalitet. Me nisjen e aktivitetit, punonjësit që janë rikthyer në vendet e tyre të punës nuk do të marrin më ndihmë, pagën, nga buxheti i shtetit por do të paguhen nga punëdhënësi , i cili nuk operon në biznesin e tij me kapacitet të plotë, çka ia vështirëson kryerjen e pagesave.
Edhe pse vlerësohet si vendim disi i vonuar, hapja e ekonomisë do të shoqërohet me një varg problematikash që vijnë për shkak të kushteve të reja ku ekonomia operon. Humbja e tregut kryesisht me vendet e Bashkimit Evropian, ndërprerja e kontratave, tkurrja e investimeve të huaja dhe vendase, kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë për rikthimin e ekonomisë në normalitet.
Për kreun e Shoqatës së Bizneseve të Vogla dhe të Mesme, Albert Nasto, nëse qeveria nuk ndërhyn me një paketë financiare të drejtpërdrejtë, ashtu siç po bëjnë të gjitha vendet e tjera, parashikohet që në fund të vitit 2020 rreth 80% e biznesit të vogël të falimentojë. Kjo do të përkthehej në humbjen e vendeve të punës për rreth 150-180 mijë persona në të gjithë vendin.