Kur, Pjetri i Madh i Rusisë, për të rivalizuar qytetet më të zhvilluara në Perëndimi, ftoi me qindra arkitektë italianë dhe hollandezë, u ndërtua metropoli i madh rus. Shën Petërsburgu u shtri mbi kënetën në bregun e detit Balltik, ku u bënë “kurban” mbi 30 mijë punëtorë, të cilët, u varrosën në themelet e qytetit. Cilat janë të fshehtat e qytetit të mahnitshëm rus, që vizitohet nga miliona turistë në vit, nga e gjithë bota?
Shën Petërsburgu ose siç njihej ndryshe në epokën e ish-Bashkimit Sovjetik, Leningradi, është një nga qytetet më të njohura, për arkitekturën. Ndryshe, ai cilësohet si Venecia ose Amsterdami i Lindjes.
Qyteti madhështor i Rusisë perandorake, filloi të ndërtohej më 27 Maj 1703, nga Cari më i shquar dhe më i suksesshëm në dinastinë Romanov, Pjetri i Madh.
Kishte dy arsye themelore, që ky qytet madhështor të ndërtohej në bregun e detit Balltik: e para, Rusia cariste nuk kishte asnjë qytet-port, pasi në të gjitha hapësirat detare në vend kishte ngrica gjatë dimrit dhe i ftohti ekstrem, zgjaste për muaj me radhë. E dyta, sepse Cari, Pjetri i Madh, donte t’i tregonte botës së zhvilluar perëndimore, se edhe rusët (që deri atëherë, njiheshin si shtet despotik dhe i prapambetur) e kishin kryeqytetin perandorak të tyrin.
Zanafilla e ndërtimit të Shën Petërsburgut
Qyteti i Shën Petërsburgut daton me luftën ruso-suedeze, kur mbreti Karl XIII i Suedisë, e sulmoi Rusinë nga detit Balltik. Pas një lufte të gjatë dhe të lodhshme, rusët nën udhëheqjen e Pjetrit të Madh të Rusisë, i mundën suedezët në fshatin Poltava dhe vetë Cari, për të ruajtur integritetin tokësor dhe detar nga ndonjë sulm i mundshëm nga jashtë, vendosi të shfrytëzonte hapësirën bregdetare të detit Balltik, për të ndërtuar qytetin-port, prej ku asnjë pushtues, pa marrë më parë qytetin, nuk mund të përparonte drejt Moskës dhe në krahina të tjera të Rusisë.
Hapësira e detit Balltik ishte e bollshme dhe premtuese, për një port të rëndësishëm nga ana strategjike (deti Balltik, nuk ngrinte në dimër), por ishte një moçalishte e madhe dhe Pjetri e dinte mirë, që për ndërtimin e atij qyteti duhej shumë punë dhe kohë, si dhe do të duheshin jetët e mijëra punëtorëve, që qyteti të ngrihej madhështor në bregdetin balltikas.
Por, me vendosmërinë e tij dhe të mijëra rusëve të thjeshtë, për të pasur një “Amsterdam rus”, puna për ndërtimin e qytetit filloi menjëherë. Pas ofertës së Carit, Pjetrit të Madh, nga Hollanda dhe Italia, u dërguan me dhjetëra arkitektë për të projektuar, ndërtuar e vëzhguar punimet e atij qyteti mbi moçalishte. Ata u dërguan në bregdetin balltik me anije dhe kur mbërritën në tokën ruse, u përballën me Pjetrin e Madh, lartësia trupore e të cilit, arrinte në 2 metra.
Ai i këshilloi arkitektët evropianë, të ndërtonin një qytet gjigant, ku të ndërthurej Venecia me Amsterdamin. Puna për ndërtimin e qytetit zgjati disa vjet, duke u marrë jetën mbi 30 mijë punëtorëve, të cilët, vdiqën nga malarja dhe i ftohti. Por, pas disa vitesh, moçalishtja me kasolle u bë një qytet kozmopolit, ku ndërthurej arkitektura perëndimore me atë ruse.
Duke parë pozicionin strategjik dhe zhvillimin e madh e me ritme të shpejta, Shën Petërsburgu, në vitin 1712 u shpall nga Pjetri i Madh, kryeqyteti i Rusisë Perandorake.
Shën Petërsburgu u quajt “ Qyteti i kockave “, sepse të 30 mijë punëtorët që vdiqën duke ndërtuar qytetin, u varrosën nën themelet e tij. Në qytet, banonin një minoritet hollandezësh, italianësh dhe anglezësh, që më së shumti, ishin arkitektë me familjet e tyre, por pjesa dërrmuese e qytetit banohej nga aristokracia ruse, që në kohën e Pjetrit të Madh, gëzonte privilegje të veçanta.
Qyteti, si pjesë e pandarë e ngjarjeve historike
Nga viti 1703 dhe deri në ditët e sotme, Shën Petërsburgu ka qenë qyteti ku u shpërthyen revolucionet, që trandën perandoritë dhe sistemet politike në Rusi dhe më pas, në ish-Bashkimin Sovjetik.
Ai qytet u bë qendra më e njohur dhe më e zhvilluar e Rusisë perandorake. Në vitin 1712, Cari e bëri kryeqytet të perandorisë dhe i zhvendosi aristokracinë dhe kabinetin qeveritar, nga Moska në Shën Petërsburg. Pas vdekjes së tij, në 1725-ën, atij iu vu emri Petrograd, për nder të Carit të vdekur. Gjatë sundimit të dy careshave Katerina, Petrogradi pati një zhvillim të madh kulturor, ekonomik dhe shoqëror. Kjo, sepse ishte i vetmi qytet, që ngjante me qytetet klasike evropiane. Edhe më pas, gjatë sundimit të dinastisë Romanov, qyteti nuk i humbi vlerat kulturore dhe historike. Në vitin 1905, pas përfundimit të luftës ruso-japoneze, qyteti përjetoi një revolucion për ardhjen në pushtet të rrymave dhe partive të reja politike, siç ishin socialdemokratët dhe bolshevikët (komunistët) rusë. Por revolta dështoi, sepse forcat bjellogardiste të Car Nikolla II, ndërhynë me shpejtësi për të vendosur rendin dhe qetësinë.
Në vitet që do të pasonin, qyteti do të ndizej edhe kryengritje të tjera, nga punëtorët dhe ushtarët, të cilët jetonin e punonin në kushte tejet të vështira. Por edhe këto kryengritje, do të shypeshin me dhunë dhe gjakëderdhje.
Qyteti kishte qenë edhe më parë, dëshmitar i kaosit politik, që shpesh herë pllakoste Rusinë e asaj kohe. Në vitin 1881, Car Aleksandri u vra me një bombë të mbështjellë si vezë Pashkësh. Gjurmët e atentatit të bujshëm, gjenden edhe sot në një nga rrugët e shumta me fasada klasike, që ndodhet në afërsi të Pallatit të verës.
Në vitin 1914, në qytet u vendosën trupa të shumta ushtarake dhe policore, si masa nga sulmet e jashtme apo të brendshme (revolucionet dhe nga një pushtim i mundshëm gjerman me nëndetëse, nga Veriu).
Por në vitin 1917, me mijëra qytetarë, simpatizantë të bolshevikëve dhe të Leninit, iu vërsulën qytetit dhe veçanërisht Pallatit të Dimrit, duke rrëzuar qeverinë menshevike të Kerenskit dhe të Carit.
Pas ardhjes në pushtet të komunistëve, kryeqyteti u zhvendos më në brendësi në Moskë, pasi Shën Petërsburgu paraqiste rrezik nga një ndërhyrje e mundshme prej Balltikut dhe ndonjë fuqie të huaj. Më 24 janar të vitit 1924, tri ditë pas vdekjes së Leninit, qytetit mori emrin “Leningrad”, në nder të udhëheqësit komunist, deri në vitin 1991.
Në Luftën II Botërore, qyteti i Shën Petërsburgut u rrethua dhe u bombardua egërsisht nga avionët nazistë dhe artileria finlandeze, duke u goditur për 29 muaj me radhë. Por. Ushtria e Kuqe e Stalinit dhe e vetë banorëve, rezistoi nën bombardime, mjerim e temperatura deri -40 gradë.
Rreth 800 mijë vetë, nga 3 milion që kishte gjatë luftës Leningradi, vdiqën.
Qyteti rezistoi edhe nga “ Rruga e Jetës “( rruga e ngrirë në pjesën e liqenit Ladoga, ku vinin furnizimet nga Moska dhe qytetet e tjera).
Për rezistencën, qyteti u dekorua nga Sovjeti Suprem, me medaljen e lartë: ”Qyteti Heroik” i Bashkimit Sovjetik.
Gjatë rënies së komunizmit edhe në qytetin e Leningradit, ashtu si në Moskë, u hoqën përmendoret e diktatorëve dhe udhëheqësve komunistë.
Sot, Shën Petërsburgu është qyteti që reflekton dhe ruan, kulturën shumëvjeçare të shtetit rus.