Pas rrëzimit të mureve të kalasë së Durrësit, nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, specialistët e trashëgimisë po studiojnë arsyet e këtij dëmtimi. Pirro Thomo, Gjerak Karaiskaj, inxhinier-gjeolog Skënder Allkja dhe konstruktori Arben Dervishi, flasin për punën që janë duke bërë, para se të hartojnë projektin e restaurimit të kullës C
Kulla C e kalasë së Durrësit, e ndërtuar në shekullin V-VI nga perandori Anastas I, gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019, pësoi dëme të mëdha. Pesë muaj pas tërmetit, specialistët e trashëgimisë, përmes mbështetjes së qeverisë suedeze, nisën punën në terren për zhvendosjen e blloqeve që kanë rënë, edhe për të evidentuar shkaqet e këtij dëmi. Këto do të çojnë në hartimin e një plani studimor, e më tej të një projekti, që do të shërbejë për restaurimin e kalasë. Restauratori Pirro Thomo na shpjegon punën parapërgatitore, që janë duke bërë në terren.
“Tërmeti i 26 nëntorit solli dëmtime dhe në monumente. Por, këtu dëmtimi është shumë i madh, jo si në kullat e tjera. Ne akoma nuk kemi bërë projektin, sepse duam që të dimë, se përse erdhi kjo gjë? Masat që po marrim janë për të bërë studimin historik me profesor Gjerak Karaiskaj, që është eksperti më i mirë i kalave, që përcakton dhe fazat e ndryshme të ndërtimit të kalasë. Kemi anën studimore, që përfshin rrethimin e objektit, largimin e blloqeve, dokumentimin e blloqeve që kanë rënë. Heqjen e bimësisë, edhe pastaj do fillojmë studimet gjeologjike, që bashkohen me studimet arkeologjike”, rrëfen për mediet, profesor Pirro Thomo.
Një ndër njohësit e paktë të fortifikimeve në Shqipëri, Gjerak Karaiskaj rrëfen tre epokat e rindërtimit të kalasë; bizantine, anzhuine edhe otomane.
“Këtu jemi para një gjendje katastrofike, sepse njëra nga pak kullat që ruheshin nga periudha e Anastasit është rrëzuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Nga rënia e blloqeve kanë dalë në pah edhe disa faza, që s’kanë qenë të dukshme. Kjo kullë ka rënë në tërmetin e vitit 1275, edhe pasi ka rënë është ndërtuar një mur, që nuk lidhej me murin tjetër të periudhës së Anastasit, por vetëm sa mbështetej atje, pa ndjekur komplet themelet e dikurshme. Linja e kullës së vjetër është jashtë kullës së periudhës së mëvonshme. Gjatë ndërtimit të këtij muri, që duhet të jetë ndërtuar nga anzhuinët, nuk u shfrytëzua themeli i vjetër, por është ruajtur forma, edhe pse ka një formë deformimi. Ka një farë habie, se përse nuk janë shfrytëzuar themelet e vjetra?”, – shprehet, profesor Karaiskaj.
Pyetjes, se përse ka rënë kjo kullë edhe nuk ranë kullat e tjera, Karaiskaj i përgjigjet se:
“Kjo ka rënë, sepse muri anzhuin nuk ka qenë i lidhur me murin e periudhës bizantine, por vetëm sa mbështetej atje. Themeli i murit anzhuin është më i cekët, sesa ai më parë. Teknikat e ndërtimit janë të ndryshme, e para me tulla, e dyta me gurë. Ndërsa, arsye tjetër është edhe bimësia, që ka përcaktuar ndarjen, pjesën e murit që do të binte. Edhe ajo që është më kryesoja është që poshtë murit ballorë, që do të binte nuk ka themel. Ajo që është kryesorja është që poshtë murit ballorë që ka qenë, nuk ka themele, se përse këtë do ta shikojmë? Nëse është përdorur për ndonjë arsye apo ka ndonjë zhytje të themelit? Kjo është dhe arsyeja kryesore e rënies së kullës, ndërsa këto të tjerat kanë ndihmuar”, – thotë Karaiskaj.
Inxhinier gjeologu Skënder Allkja na tregon se si do të studioi nëntokën e kullës C të kalasë së Durrësit.
“Ne jemi këtu për të studiuar nëntokën. Durrësi dihet se ka depozitime të dobëta, por me kalimin e kohës mund të ketë pësuar ndonjë cedim që nuk është vrenjtur, edhe tërmeti ka bërë që të rrëzohej, por mund të jetë edhe një fenomen i lëngëzimit. Kjo do të thotë që nga tërmeti është lëngëzuar dhe strukturat pësojnë ulje. Para restaurimit do të bëjmë kontrollin e nëntokës deri në një thellësi 25 metra, që të llogaritet themeli edhe të ruhen muret historike”, – shpjegon gjeologu Allkja.
Konstruktori Arben Dervishi i konsideron delikate ndërhyrjet në monumentet e kulturës, prandaj ai shprehet se puna që do të bëhet në vijim, duhet bërë në mënyrë që të ruhet autenciteti gjatë projektit të ndërhyrjes.
“Fillimisht do merrmi me problematikat e provave, që duhet bërë në këtë objekt, pa bërë shkatërrime, por për të dhënë karakteristikat që të japim planin e përforcimeve të përkohshme. Objekti ka një çarje, që në rastin e një tërmeti (se dimë nëse do të ndodhë apo jo) të mundshëm mund të na i agravojë situatën. Fillimisht do të bëjmë përforcimet edhe do vendosim aparatura për të parë nëse kjo strukturë ka lëvizje të mëtejshme, edhe pasi të marrim të gjitha këto karakteristika do të japim edhe metodën se si do ta kthejmë në gjendje fillestare. Situata është pak e rëndë, por ne do ta gjejmë mënyrën që ta përforcojmë pa i prishur integritetin e monumentit të kulturës”, – shprehet Dervishi.
Faza e parë studimore është 20 mijë euro, bashkë me hartimin e projektit do të shkojë 40 mijë euro. Shumë kjo e financuar nga qeveria suedeze, përmes organizatës suedeze jofitimprurëse Trashëgimia Kulturore pa Kufij (Cultural Heritage without Borders [CHwB]).