Dr. Anthony Fauci e përshkroi COVID-19 si një tmerr i vërtetë në komentet të martën në një takim me drejtues të kompanive bioteknologjike, siç njofton New York Times.
“Brenda katër muajsh, ka shkatërruar gjithë botën dhe ende nuk i ka ardhur fundi,” tha Dr. Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Sëmundjet Infektive, thuhet në artikullin e gazetës. Ai e zhvi2lloi takimin me Organizatën e Zbulimeve Bioteknologjike përmes lidhjes dixhitale.
COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi, është sëmundje infektive e sistemit të frymarrjes që deri tani ka prekur 7 milionë vetë në shkallë globale, duke lënë më shumë se 480 mijë të vdekur.
Dr. Fauci tha se ishte shtangur nga shpejtësia e përhapjes së sëmundjes në botë, duke thënë se sëmundjet e mëparshme përhapeshin në botë brenda 6-12 muajsh, siç njofton gazeta.
Po të marten, Maria Van Kerkhove, shefe teknike në përpjekjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kundër koronavirusit, u përpoq të sqaronte komentet lidhur me përhapjen e sëmundjes nga persona që nuk shfaqin simptoma. Të hënën ajo bëri komente që linin të kuptohej se përhapja e virusit nga persona që nuk shfaqin sëmundje është e rrallë.
Zonja Van Kerkhove përmendi “disa statistika” që arrijnë në përfundimin se 6-40% e infeksioneve të reja mund të jenë nga persona që nuk shfaqin simptoma, sipas një artikulli të agjencisë së lajmeve Associated Press.
Të martën ajo tha se po citonte disa studime dhe nuk po bënte një analizë të përgjithshme të problemit. Ndërkaq, zelandezët u mblodhën në kafene e restorante të marten për të festuar përfundimin zyrtarisht të karantinës.
Pas më shumë se dy muaj kufizimesh që paralizuan aktivitetin e përditshëm, Kryeministrja Jacinda Ardern lehtësoi masat kufizuese brenda vendit, ndërkohë që mbetet në fuqi ndalimi i udhëtimeve nga jashtë.
Zelanda e Re kishte 1,504 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 22 të vdekur në një popullsi me 5 milionë banorë, sipas Universitetit Johns Hopkins.