Mbretëria e Bashkuar, së bashku me pjesën tjetër të botës, mendohet se po shkon drejt recesionit më të madh ndër dekada. Por çfarë do të thotë kjo ?
Çfarë është recesioni?
Në kohë normale, ekonomia e një vendi rritet. Qytetarët pasurohen gradualisht kur rritet vlera e mallrave dhe shërbimeve që prodhon (GDP). Por ndonjëherë vlera e mallrave dhe shërbimeve të prodhuara bie. Emërtimi recesion jepet kur kjo rënie zgjat për një periudhë prej më shumë se tre muaj rresht. Nëse një recesion vazhdon për një kohë të gjatë, njihet si depresion.
Pse ka rëndësi nëse jemi në recesion?
Për shumicën e njerëzve, rritja ekonomike është një gjë e mirë. Kompanitë janë përgjithësisht më fitimprurëse dhe kanë mundësi të paguajnë më shumë punonjës dhe aksionarë. Një ekonomi në rritje do të thotë gjithashtu që qeveria merr më shumë para në taksa. Pra, ka më shumë hapësirë për të ulur taksat, ose të shpenzojë më shumë për shërbime publike dhe pagat e punonjësve qeveritarë. Kur ekonomia tkurret, të gjitha këto gjëra kthehen në të kundërt.
A jemi tashmë në recesion?
Shtetet e zhvilluara patën rënie të GDP-së në periudhën janar- mars 2020 për shkak të pandemisë. Shifrat zyrtare për prill-qershor nuk janë publikuar ende, por ka të ngjarë të tregojnë për rënie edhe më të madhe. Kjo do të nënkuptonte një tremujor të dytë të rënies duke konfirmuar që pjesa më e madhe e botës është në recesion.
Në Mbretërinë e Bashkuar, ekonomia u tkurr me 2% nga janari deri në mars, sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare. Pastaj u tkurr me 20.4% në prill – tkurrja më e madhe mujore sipas të dhënave – në muajin e parë të plotë në izolim.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon rënie të mëdha të GDP-së për vitin 2020 në tërësi – një rënie e MADHE prej 5.9% për SH.B.A-NË dhe 6.5% për Mbretërinë e Bashkuar. Në fakt FMN vlerëson se e gjithë ekonomia botërore do të tkurret me 3% këtë vit dhe parashikohet recesioni më i madh që nga Depresioni i Madh i viteve 1930.
Si mund të ndikojë recesioni te ne?
Të sapo-diplomuarit do kenë më pak hapësira punësimi ndërsa të punësuarit do punojnë me orar të zgjatur apo do marrin rrogë të shkurtuar.
Sidoqoftë, recesioni nuk përjetohet njësoj në të gjithë shoqërinë, dhe pabarazia mund të rritet. Për shembull, shumë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar që zotëronin shtëpi me hipoteka dhe që mbanin punën e tyre gjatë recesionit të fundit, bënë mirë. Banka e Anglisë uli normat e interesit për të mbështetur ekonominë, çka uli në mënyrë të konsiderueshme pagesat e interesit të hipotekës.
Kur do të përfundojë recesioni?
Ekziston frika e ripërhapjes së virusit dhe aktivitetet si udhëtimet ajrore apo konferencat e biznesit në veçanti mund të duhen vite për t’u rikthyer siç ishin. Pra, pasojat e këtij recesioni do të ndihen gjatë viteve në vazhdim.
Çfarë mund të bëhet?
Në recesionin e fundit, bankat qendrore ulën normat e interesit për të mbështetur ekonominë. Kjo do të thotë që njerëzit dhe bizneset mund të merrnin hua më lehtë dhe të kishin më shumë për të shpenzuar.
Por normat e interesit tashmë janë afër zeros në shumë vende dhe mund të mos jetë e mundur që të shkurtohen ato më tej.
Qeveritë në mbarë botën tashmë po huazojnë shuma të mëdha për të mbështetur ekonomitë e tyre përmes uljes së taksave dhe shpenzimeve më të larta publike – të tilla si mbështetje për bizneset madje edhe pagesa direkte për qytetarët. Por, huamarrja vjen me një kosto, e cila do të ndihet për dekada në vazhdim.