Së fundmi e kemi parë të këshillojë mbi distancimin social, apo të ruajë delet në mal. Qeni robot, i ndërtuar nga Boston Dynamics, tashmë ka një çmim. Kompania amerikane ka bërë të ditur se mund ta porosisni robotin katërkëmbësh, të quajtur Spot, për 74500 dollarë.
Roboti i shkathët ka tërhequr mjaft vëmendje pasi mund të vrapojë, të ngjisë shkallët dhe, falë një “dore” shtesë, edhe të hapë dyert.
Por ndërsa deri të martën ai përdorej vetëm për kërkime dhe biznese të ndryshme, tanimë të gjithë mund të kenë shoqëruesin e tyre robot. “Kombinimi i programit të sofistikuar të Spot dhe lëvizjeve të tij mekanike, e lejon që të bëjë punët e rënda që nuk i bën njeriu”, thotë Marc Raibert, drejtor dhe themelues i Boston Dynamics.
Spot mund të vrapojë me një shpejtësi 1,5 metra për sekond, ka kamera që i japin një pamje 360 gradë, mbrojtëse nga uji dhe pluhuri dhe mund të punojë në temperatura që ndryshojnë -20 deri në 45 gradë celsius.