Një kryqëzim i qytetërimeve, kryeqyteti i Mbretërisë Nabatease, stacion i detyruar i karvanëve, ishte një shembull unik i harmonisë fetare: bashkëjetonin kultet arabe, greke, egjiptiane, siriane dhe romake.
Kush udhëtonte me karvanët që kalonin Gadishullin e Sinait, tregonte mbi mrekullitë e një qyteti me shtëpi, varre dhe kamare të gdhendura në shkëmb, i quajtur Petra. I ndërtuar në zemër të shkretëtirës, ky qytet i jashtëzakonshëm i gdhendur në gurë ranorë, dhe i fshehur në një grykë mes malesh, që e izolonin dhe mbronin atë.
Në qytet hyhej nëpërmjet Siq, një kalim i ngushtë rreth 1 mijë metra i gjatë. Kalesa zgjatet përballë thesarit të Tempullit (El-Khasneh, në arabisht). I quajtur në antikitet Reqem, Petra ishte një qytet magjepsës, aq i madh saqë sipas udhëtarëve, karavanëve iu duhej një ditë të tërë për ta përshkruar.
Malet ngjyrë okër rreth e rrotull, mbronin një qytet të gjallë, të pasur me ngjyra që kontrastonin me njëra-tjetrën dhe të banuar nga njerëz të të gjitha përkatësive – arabë, grekë, hebrenj, romakë, sirianë – që në këtë vend, në zemër të vetmisë së madhe të shkretëtirës, gjenin siguri, ujë, argëtim dhe mundësi për të bërë biznes.
Perënditë nabatease
Petra (që aktualisht ndodhet në territorin e Jordanisë), ishte një udhëkryq kulturor dhe ekonomik i një rëndësie të jashtëzakonshme:në qytet kalonin rrugët tregtare që lidhnin Azinë me Mesdheun; dhe për këtë arsye në sheshet e tij dëgjohej të fliteshin shumë gjuhë, në një kohë që praktikohej çdo lloj rituali. Nuk është për t’u habitur që banorët e Petras, Nabataeasit – fillimisht një popull nomad që kishte ardhur nga Mesopotamia – patën ndërtuar një fe të bazuar tek sinkretizmi, ose tek pranimi i hyjnive të popujve të tjerë dhe i përdorur si të vetat.
Në këtë mënyrë, feja e tyre themelohej në një harmoni të plotë me atë të arabëve, grekëve dhe romakëve. Pra, feja nabatease ishte rezultat i evolucionit:hyjnitë e reja u zëvendësuan ose iu shtuan atyre ekzistuese. Në fillim perënditë e nabataeasve u reduktuan në dy, një mashkull dhe një femër, me emra të ndryshëm në varësi të vendit se ku adhuroheshin.
Nga këto dy hyjni u formuan një seri prej 11 të tilla:Dushara, Allat, Al-Uzza, Kutba, Baal Shamin, Qos, Hubal, Manauat, Qaysha, Iside dhe Atargatis. Secila prej tyre kishte një funksion të veçantë dhe një kult të dedikuar. Dushara, “Zoti i Malit”, ishte në fillim një perëndi e vogël lokale, por më vonë u hyjnia kryesore nabatease, dhe në periudhën helenistike u asimilua nga Zeusi dhe Aresi. Allatin, “perëndesha” ishte hyjnia femërore e Petras, ku në Tempullin e Luanëve me krahë, është identifikuar me Afërditën.
Al-Uzza, “më i fuqishmi”, konsiderohej në Petra si gruaja e Dusharas. Manauat njihej në mesin e arabëve si Manat, “fati”, dhe adhurohej në Mekë, së bashku me Allatin dhe El-Uzzan, në epokën para-islamike. Hyjnitë e tjera të pranuara nga nabateasit në Petra, gëzonin një përkushtim më të pakët. Për shmbull, perëndesha egjiptiane Isida, shfaqet në mbishkrime mbi një kult në një zonë larg nga qendra e Petras, në një kodër ku nuk mund të mblidheshin shumë besimtarë, dhe kjo ndoshta tregon se kulti i saj nuk ishte shumë i përhapur.
Edhe Atargatis, perëndesha siriane e prosperitetit dhe fatit të mirë, ishte shumë pak e nderuar, ndoshta vetëm nga vizitorët e paktë sirianët. Ritualet për nder të hyjnive kremtoheshin në brendësi të tempujve dhe në kopshtet e tyre. Bëhej fjalë për pemët si dushku, rrapi, fiku, jasemini dhe bimë të tjera aromatike që popullonin portikët e tempujve, ku kryheshin procesione në nderim të pjellorisë së tokës.
Tempuj dhe procesione
Në periudhën e parë, perënditë nderoheshin përmes betelit. Sipas besimtarëve nomadë të Lindjes së Afërme, ai cilësohej si vendi i një hyjnie. Beteli ishte ngritur në një hapësirë të shenjtë me të hapur, me një altar ku kryheshin flijime për nder të tij. Termi “Betel” është e pranishëm në toponimin biblik Bethel (“Shtëpia e Zotit”), ku Abrahami ndërtoi altarin (Zanafilla 12.8, 13.3) dhe Jakobi ëndërroi shkallët qiellore (Zanafilla 35,1- 7).
Ndikimi i mëvonshëm helenistik, kontriboi që adhurimi stërgjyshor i betilit të zëvendësohet gradualisht me ndërtimin e tempujve dhe nga futja e adhurimit të kultit të hyjnive. Rëndësia e aktivitetit fetare të qytetit mund të jetë vlerësuar duke marrë parasysh dy llojet e tempullit, që mund të gjendeshin me ose pa priftërinj dhe priftëresha.
Faltoret mund të llogarisnin mbështetjen e një personeli të larmishëm, si yshtësit, shortarët që ekzaminonin të brendshmet e kafshëve dhe ofronin flijime për nder të hyjnisë. Deri më sot, në qendër të qytetit që janë identifikuar 3 tempuj të mëdhenj, të ndërtuar në mes të fundit të shekullit I para Krishtit dhe gjysmës së shekullit I pas Krishtit, koha kur qyteti arriti kulmin e zhvillimit të tij.
Të treja faltoret qëndronin në afërsi të rrugës së madhe që kalonte nëpër qytet. Ajo që sot arkeologët e quajnë Tempulli i madh, shfaqej nëpërmjet një kolonade të trefishtë të shtyllash me në krye me koka të gdhendura elefantësh, të cilat kishin një imponim të pashembullt.
Tempulli i Luanëve me krahë – i quajtur kështu për shkak të skulpturave që janë ruajtur – i ishte kushtuar ndoshta perëndeshës Allat:aty mund të lexohet ky mbishkrim në gjuhën nabatease:Që Allati të kujtohet për Ajdunë /ndërtuesin, birit e Absalomit , për një qëllim të mirë”.
Por tempulli më i rëndësishëm ishte ai ai Qasr Al-Bint, ndoshta i dedikuar për Perëndisë Dushara, është faltorja e vetme në qytet, fasadat e të cilit i mbijetuan tërmeteve që kanë goditur zonën. E ndërtuar mbi një platformë të ngritur, ajo ndodhej në fund të rrugës me kolonada, përgjatë të cilit kryheshin procesionet që ishin pjesë e kultit që zhvillohej në tempull.
Kjo rrugë, rreth 300 metra e gjatë, ishte e stolisur me statujat e mbretërve nabateas dhe hyjnive, me vende guri dhe dyer hyrëse në ndërtesa të tjera. Gjithashtu përmbante mbishkrime në gjuhën nabatease, greke dhe latine, disa prej tyre dedikuar për monarkët vendas dhe gjithashtu guvernatorin romak të provincës.
Ne mund të imagjinojmë një nga ato procesione në epokën romake:rruga e madh e rrethuar nga kolona dhe statuja, plot me njerëzve të veshur për feste që mbajnë gjethe palme, përgjatë paradës triumfale të karrocave të tërhequra nga kuajt, si dhe një numër i pafundëm priftërinj dhe priftëreshash që vijnë nga tempujt e tyre.
Një lajmëtar i rrethuar nga ushtarët drejton procesionin pajtues, i ndjekur nga shërbëtorët dhe truproja që mban simbolet. Priftërinjtë, në grupe prej 7 vetësh, sjellin statujat e perëndive dhe byzylykët nga tempujt, nga të cilat buron aroma e mirë e drurit aromatik të djegur për nder të hyjnive; dhe ndalojnë përballë tyre për të festuar ritet e përshkruara, me publikun që është mbledhur rreth e rrotull.
Flijime për perënditë
Rruga me kolona nuk ishte e vetmja që përdorej për shërbesat fetare në qytet:po kështu ishte edhe Siq, gryka të çon në Petra. Kështu është shkruar nëpër fasada, varret dhe kamare për adhurimet që kishin ndodhin në muret e saj. Në rrafshin fetar ekzistonte ndërkaq një lidhje intime mes Petras dhe maleve përreth saj, ku kishte vend për vende të tjera të shenjta, si varret mbretërore të gdhendura në shkëmbin e El-Khubthah (lindje të rrugës me kolona) ose Vendet e larta .
Pikërisht në këto zona, në pikat më të larta të malit – sa më afër qiellit, vendit të perëndive – përfundonte rruga e procesionit, që kulmont me flijimin e një kafshe. Holokausti përfshinte djegien e të gjithë kafshës, me përjashtim të lëkurës, pa i mbetur asgjë personit që ofronte sakrificën, dhe as priftit.
Në qoftë se flijimi ishte publik, sakrifica kryhej nga priftërinjtë. Nëse kishte karakter privat, ofruesi therrte kafshën jashtë altarit, dhe prifti e spërkaste gjakun e saj përreth vendit. Pastaj kafsha rripej dhe copëtohej dhe pjesët e saj (përfshirë kokën, zorrët dhe këmbët) laheshin dhe vendoseshin mbi altar, ku digjeshin nëpërmjet një zjarri të vazhdueshëm.
Siç mund të shohim, në Petra praktikat e adhurimit dhe të hyjnive stërgjyshore nomade, jetuan së bashku në harmoni të plotë me ritualet e grekëve dhe romakëve. Pra, jetohej në qytetin më kozmopolit të shkretëtirës, që në shekullin VIII-të, si pasojë e rrënimit nga ndryshimi i rrugëve tregtare dhe përsëritja e tërmeteve, do të braktiset përgjithmonë.