MENU
klinika

Në djall ironia!

Rilke: katër këshilla për poetët e rinj

07.07.2020 - 13:59

       Në vitin 1903, duke këshilluar një poet të ri, Rainer Maria Rilke shkroi monumentin e  filozofisë, një manual shpirtëror. Një manual që mund të na drejtojë në rrugën e të shkruarit dhe të ekzistencës. Poeti i famshëm Rilke ishte vetëm 28-vjeç kur filloi t’i përgjigjej Franz Kappus, 17-vjeçar, një poet aspirues dhe kadet në shkollën ushtarake, nga e cila Rilke kishte dezertuar disa vite më parë. Rilke i dërgoi dhjetë letra në harkun kohor prej pesë vjetësh nga Parisi, ku ai ishte sekretar i Rodinit, nga Suedia, Roma, nga rrethinat e Bremenit, ku ai nuk reshti së shkruari. Dhjetë traktate të vogla për filozofinë praktike, dhjetë meditime për vetminë, dashurinë, krijimin./Konica.al

Përballë ngulmimit të Rilkes, djaloshi Kappus përfundimisht do të zgjedhë karrierën ushtarake. Por, mirënjohës karshi mjeshtrit të ri, ai i botoi mësimet e tij të çmuara në vitin 1929. Dhjetë letrat e Rilkes njohën një sukses të jashtëzakonshëm e të menjëhershëm në mbarë botën. Edhe në ditët e sotme, ato vijojnë të mbeten më të njohura se poezitë e autorit dhe do të mbeten një udhëzues shpirtëror se si të jetojmë, nga të cilat duhet të mbajmë mend të paktën katër mësime.

Mësimi 1: Pranoni seksualitetin tuaj

Tema e seksualitetit është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse në letrat e tij, është e qartë se të shkruarit, të qenit poet, nuk është punë, por para së gjithash është një mënyrë e të qenit. Është një marrëdhënie e caktuar me botën, me vetveten dhe me jetën. Për kohën kur jetoi, Rilke ka përgjigje jashtëzakonisht moderne, kur thotë se energjia seksuale dhe energjia krijuese janë të njëjta. Dhe se duhet t’i pranojmë plotësisht dëshirat, seksualitetin dhe ta çlirojmë veten nga gjithçka që mund ta shtypë atë: moralin. Me idenë se burri modern është i pakënaqur, sepse i është mësuar të jetë i kujdesshëm ndaj seksualitetit, ta ndrydhë atë. Për Rilken është interesant fakti, se si trupi dhe mendja komunikojnë në një seksualitet të marrë në mënyrë autentike.

“Afrojuni natyrës. Përpiquni të thoni, sikur të ishit njeriu i parë i kësaj bote, atë që shihni, atë që përjetoni, çka doni dhe çka humbisni”, – Rilke.

Mësimi 2: Jepni jetën tuaj për të shkruar

Rilke e pyet: “Nëse mendon se mund të jetosh pa shkruar, mos shkruaj”. “Nëse përgjigjja do ishte “Jo, unë nuk do të vdisja”, atëherë nuk kemi të drejtë të shkruajmë”. Pra, siç e shihni, vijoj të jetë shumë ngulmues. Ky është padyshim rasti i tij. Të shkruarit e shpëtoi Rilken nga vetëvrasja ose të paktën, nga kredhja në një situatë psikike shumë serioze.

“Zbuloni shkakun që ju bën të shkruani, vërtetoni nëse rrënjët e saj marrin jetë nga skutat më të thella të shpirtit”, – Rilke.

Nëse mendoni, se nëse nuk shkruani, mund ta vijoni jetën normalisht, nuk ka asgjë pse të hezitoni. Thjesht, në këtë rast, nuk duhet të bëni një jetë gjysmake. As tre të katërtat. Është gjithë jeta. Dhe Rilke bashkon gjestin me fjalën, sepse ai gjeti një mënyrë për të jetuar me asgjë tjetër, për të mos bërë asgjë tjetër, të mos bënte katërcipërisht asgjë përveçse të shkruante. Ai u soll si një lloj prifti i poezisë. Krijimtaria duhet të zërë tërë hapësirën. Edhe nëse të detyron në varfëri, sepse të shpie në varfëri, duhet të jesh gati, kjo është poezia. Kur i jep këshillat poetit të ri, Rilke ia jep vetvetes. Në njëfarë mënyre, duke i shpjeguar tjetrit se çfarë duhet të jetojë, ai kupton njëherazi sesi është jeta e tij.

Mësimi 3: Zbusni vetminë

Largoni çfarëdolloj ideje për sukses letrar. Mjafton të interesoheni për marrëdhëniet që njeriu ka midis vetes dhe vetes, që do të thotë mes vetes dhe asaj që shkruan. Mos prisni miratimin e të tjerëve. Nëse doni të shkruani mos prisni të bëni një jetë normale shoqërore. Të shkruarit të kërkon të jesh vetëm. Rilke ishte jashtëzakonisht i vetmuar. Vetmia ishte kushti i punës së tij. Nga ana tjetër, ai ishte një shkrues i patëmetë letrash, ai shkroi shumë letra. Letra i lejonte t’i mbante larg të tjerët.

“Vështrimi juaj është drejtuar jashtë. Këtej e tutje nuk duhet ta bësh absolutisht diçka të tillë. Askush nuk mund t’u këshillojë apo t’u ndihmojë. Asnjë. Ekziston vetëm një mënyrë: hyni brenda vetes”, – Rilke.

Mësimi 4: Në djall ironia

Në art, në sytë e Rilke, nuk ka vend për gjëra dytësore, nuk ka vend për butësi, nuk ka vend për një art, i cili do t’i trajtonte gjërat në mënyrë sipërfaqësore. Ai ishte mospërfillës edhe ndaj autorëve shumë të famshëm. Nëse jeni krijues, duhet të shikoni në libra të tjerë vetëm atë që mund t’ju ushqejë. Me fjalë të tjera, atje ku mund të gjeni veten, ajo që ju zbulon vetveten. Rilken nuk e shqetësonte fakti të thoshte se nuk e kishte lexuar Shekspirin. Pra, si rrjedhojë, një pjesë e madhe e letërsisë që kishte të bënte me gjërat e lehta, lojën, lojërat e fjalëve… nga aspekti disi sipërfaqësor, për të ishte thellësisht indiferent./Konica.al