“Udhëtimi i vërtetë i zbulimit nuk konsiston në kërkimin e tokave të reja, por në konceptimin e një këndvështrimi të ri”.
Fjalët e shkrimtarit francez Marsel Prust, na inkurajojnë ta vëzhgojmë realitetin që na rrethon nga këndvështrime gjithnjë të ndryshme. Një emër, një mit. Asnjëherë nuk mund të flasim për dimensionin e vërtetë mitologjik, si në rastin e Marsel Prustit, shkrimtari i përmendur shpesh në lidhje me kohën, që kalon dhe fuqinë e kujtesës, por që pak në fakt e kanë lexuar./Konica.al
Marsel Prusti, shkrimtar i izolimit vullnetar, i njihte më së miri virtytet e heshtjes dhe vetmisë. Krijimtaria e tij, një odë e vërtetë për të lexuarit, në periudhën që po kalojmë merr një tonalitet krejt tëveçantë. Leximi i Prustit merr kryesisht një ton të veçantë, kur ngulmojmë t’i gjejmë një koherencë. Shpesh autori në faqet e librit thotë “mendim”, ai nuk flet për fjalitë e tij, as për tekstin e tij dhe as për letërsinë e tij. Ai flet për mendimin e tij.
“Udhëtimi i vërtetë i zbulimit nuk konsiston në kërkimin e tokave të reja, por në konceptimin e një këndvështrimi të ri”.
Marsel Prusti, mjeshtri i romanit
Autori i kryeveprës “Në kërkim të kohës së humbur”, Marsel Prusti konsiderohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX. Madhështia dhe origjinaliteti i shkrimtarit francez lindin nga përzierja e dy poetikave të kundërta. Nga njëra anë, një aftësi e madhe analitike dhe nga ana tjetër, lartësimi i formave intuitive të njohjes dhe brendësisë së individit. Në këtë mënyrë, Marsel Prusti ndërtoi një model të ri romani, i cili vijon të shërbejë si pikë e përsosur referimi për letërsinë botërore. Ai njihet si prototipi i shkrimtarit të paangazhuar, ekskluzivisht i vëmendshëm për punën e tij. Po ashtu, vëllimi i fundit i “Në kërkim të kohës së humbur, koha e gjetur”, përbën njëherazi një libër domethënës mbi Luftën e Parë Botërore, në të cilin shkrimtari pikturon fundin e një bote.
“A jam romancier?” – pyet veten Marsel Prusti në fletoren e tij në vitin 1908. Shkrimtari vë në dyshim natyrën e veprës në zhvillim dhe pyet veten nëse po i jep jetë një romani apo një studimi filozofik. Pa dyshim që të dy në të njëjtën kohë. Prusti skicon fenomenologjinë e një game të tërë ndjenjash, nga butësia deri tek izolimi, zhdukja, mungesa, vdekja, ndarja, braktisja. Ai e adhuronte izolimin vullnetar. Kishte nevojë për heshtje, tërheqje dhe vetmi për të ndërtuar punën e vet.
Të udhëtosh do të thotë të shikosh botën me një sy përherë të ri
Në një nga shkrimet e tij, Marsel Prusti deklaroi se udhëtimi nuk konsiston në kërkimin e tokave të reja, por ta konceptosh gjithnjë ndryshe. Në të vërtetë, udhëtimi është para së gjithash një përvojë e zemrës dhe mendjes, madje edhe para trupit. Shkrimtarët e mëdhenj të së kaluarës na e mësojnë fot bukur këtë. Para së gjithash Dante, i cili bëri udhëtimin e udhëtimit, falë fuqisë së imagjinatës së tij. Në rastin e Prustit, udhëtimi është një aventurë në dimensionin e kohës dhe kujtimeve. Dhe mënyra për të arritur atje, nuk ka asgjë tjetër përveç aromës së një madeleine ende të nxehtë. Me pak fjalë, për të udhëtuar nuk ke nevojë të lëvizësh fizikisht, por t’i afrohesh realitetit me sy gjithnjë të ri. Madje, ne mund të udhëtojmë edhe në kohën e Koronavirusit, kur jemi të detyruar të qëndrojmë midis katër mureve të shtëpisë. Mjafton të mbyllim sytë. Ose më mirë akoma, të shfletojmë një libër…