MENU
klinika

Letra në Vatikan

Pjesa më e madhe e shqiptarëve mes 90-100 vjeç

11.07.2020 - 14:40

Dom Pjetër Budi u lind në Gur të Bardhë në Shqipëri në trevën e Matit në vitin 1566. Pasi kishte qenë në rininë e hershme në shërbim të disa ipeshkëve të atdheut të tij dhe pasi kreu studimet e larta në Loreto, në moshën 21 vjeçare u shugura prift dhe u dërgua në Provincën kishtare të Serbisë ku përfshihej edhe Kosova.

Atje qëndroi për plot 12 vite, deri kur në një sinod të mbajtur nga Arqipeshkvi i Tivarit, Imzot Tomazo Orsini, qe emëruar Vikar i përgjithshëm për Serbinë dhe në këtë detyrë, të përforcuar nga pasardhësi i Orinsit, Imz. Leon Marin Bici, ndenji për 17 vite, domethënë deri në vitin 1616 kur shkoi në Romë.

Më 20 korrik 1621, Pjetër Budi, u zgjodh ipeshkëv dhe dy vite më vonë u mbyt në lumin Drin.

Të dhënat e mësipërme biografike të cilat janë marrë nga libri i studiuesit italian Gaetano Petrota me titull “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare”, dalin në pah nga një letër që Budi, tashmë ipeshkëv, nga Roma ia drejtonte kardinalit Gocadini më 15 shtator të vitit 1621 duke e vënë në dijeni se në çfarë gjendjeje braktisjeje ishte lënë Shqipëria, që nga katolicizmi po kalonte në myslimanizëm dhe, për t’i bërë thirrje për ndihmë Selisë së Shenjtë.

Duke thënë se Provinca kishtare e Shqipërisë me 14 ipeshkvi, prej shumë vitesh kishte mbetur pa barinj shpirtërorë dhe se katolicizmi pak nga pak po shkonte duke u fikur, ai gjykonte të mundshme edhe një luftë për të çliruar nga osmanët jo vetëm Shqipërinë, por të gjithë Gadishullin Ballkanik duke qenë se Turqia në atë kohë ishte e angazhuar kundër Polonisë.

Në vazhdim të letrës, ai përshkruan edhe Shqipërinë, përshkrim i cili është botuar në librin e përmendur më lart, faqe 81:

Shqipëria është një trevë pjellore dhe e pasur me të gjitha gjërat e nevojshme për jetesë; ka një klimë aq të butë dhe të shëndetshme, e cila nuk gjendet në treva të tjera, aq sa pjesa më e madhe e banorëve jetojnë nga 90 deri 100 vjeç. Ka vende që të kënaqin syrin, me të gjithë llojet e prodhimeve: verëra të zgjedhura, vaj e grurë të pakrahasueshëm; ka lumenj e liqenë të shumtë me çdo lloj peshku. Me pak fjalë, si në brendësi, ashtu edhe nëpër brigje, nga çdo anë i ngjan Parajsës tokësore.

Kjo letër e Budit e cila ruhet në Vatikan është e një rëndësie të madhe historike, sepse, përveç të dhënave biografike për autorin, përmban njoftime të çmueshme mbi gjendjen e Shqipërisë së asaj kohe, që është me dobi të krahasohet me kushtet në të cilat ajo është lënë prej sundimit turk.