MENU
klinika

"Siparantum" konkurron denjësisht

Kori shqiptar, në CD-në me muzikë botërore

20.07.2020 - 15:13

       Muzika shqiptare po tejkalon çdo ditë e më shumë, kufijtë. Vepra të kompozitorëve shqiptarë po renditen krahas atyre botërorë. Kësaj radhe, falë punës së mrekullueshme që po bën kori “Siparantum”, prej tri vitesh, rapoton KultPlus.

Në tetorin e vitit të kaluar, kori “Siparantum” u bë pjesë e konkursit ndërkombëtar të koreve, në edicionin e 15-të të “International Choir Contest Flanders”. Kjo ishte një rrugë e re suksesi për ta, për faktin se ishin bërë pjesë e një festivali tejet serioz, i një niveli të lartë artistik. Në këtë festival morën pjesë disa kore, duke u vlerësuar me çmime ndërkombëtare.

Pikërisht kjo pjesëmarrje, bëri që kori “Siparantum” të përfshihet në CD-në e festivalit në fjalë.

Në IKV (15th International Choir Contest Flanders), kori “Siparantum” u paraqit me vepra të laramanishme të kompozitorëve të njohur botëror dhe shqiptarë, në mesin e tyre veprat e kompozitorëve si: Rafet Rudi, Mendi Mengjiqi, Kreshnik Aliçkaj, Memli Kelmendi etj.

Duke u nisur nga ky fakt, festivali përzgjodhi nga secili kor pjesëmarrës nga dy vepra, që e kompletuan listën për këtë CD dhe kësaj liste, nuk i mungojnë edhe veprat shqipe.

Dirigjenti dhe kompozitori Memli Kelmendi, njëherit udhëheqësi i korit “Siparantum”, ka treguar se qëllimi i tij kryesorë është promovimi i veprave dhe kompozitorëve shqiptarë në botë.

“Përfshirja e korit tonë në këtë CD, vërtetë më gëzoi shumë me faktin që ideja jonë që në fillim të formimit të korit ka qenë kjo, prezantimi i këngës sonë korale dhe kompozitorëve tonë në botë. Ndonëse kemi vetëm tre vite që nga themelimi, duket se ne jemi në rrugë të drejtë. Veprat të cilat botohen, lënë gjurmë të pashlyeshme dhe qëndrojnë përherë, kjo ka rëndësi” – thotë Kelmendi.

Kriter i festivalit ishte interpretimi i veprave të ndryshme të periudhave të ndryshme stilistike gjerë tek interpretimi i veprave bashkëkohore, prandaj në mesin e veprave të shumta në paraqitjen e korit “Siparantum”, për CD-në e këtij festivali u përzgjodhën vepra “Xhike-Loke” e kompozitorit kosovar Rafet Rudi, si dhe vepra e tradicionale nga Ekuadori, “Apamuyo Shungo” me përpunim të Guerara.

Kompozitori Memli Kelmendi, për veprën “Xhike-Loke”, shprehet se “është njëra prej veprave më të bukura korale në repertorin e muzikës tonë.”

Sipas tij, vepra në fjalë është pëlqyer dhe vlerësuar nga kritikë të shumtë të muzikës që ishin prezent në festival, nga publiku i shumtë dhe nga juria profesionale në përbërje prej: Luc Anthonis, Ágnes Török, Peter Broadbent, Nicol Matt, Fabio Pecci. Interpretimi i veprës “Xhike Loke” është pëlqyer gjithashtu edhe nga kompozitori prof. Rafet Rudi, i cili ka vlerësuar lartë interpretimin e korit “Siparantum”.

“Edhe po të më pyesnin mua për përzgjedhjen e ndonjërës nga veprat tona të interpretuara në kuadër të shumë veprave që ne u paraqitem në këtë festival garues, padyshim që do t’a zgjidhja këtë vepër me faktin se ishte interpretimi më i mirë që kemi realizuar ndonjëherë. Padyshim ajo që e karakterizoi këtë vepër në këtë festival ishte koreografia për të cilën do ta falënderoj mjeshtrin e koreografisë shqiptare, Tasim Dajçi, i cili poashtu në mënyrë vullnetare ka ndihmuar punën tonë në realizimin skenik, me përkushtimin e tij maksimal.”

Përfshirja e veprave shqiptare në këtë botim konsiderohet një sukses i rëndësishëm dhe padyshim që Kelmendi ndjehet tejet i lumtur.

“Të jesh pjesë e këtij botimi, në mesin e koreve që kanë traditë në këndimin koral, që funksionojnë me kushte më të mira se ne, të jesh pjesë e një botimi bashkë me “King’s Singers” që sot konsiderohet ansambli vokal ndër më të njohurit në botë, vërtetë kjo është gjë e rëndësishme për gjithë ne. “King’s Singers” kanë hapur këtë festival me një koncert të tyre fantastik, në mes tjerash kanë mbajtur Workshop dhe kanë kënduar veprën Premierë “Pace non trovo” të Jan Van der Roost. Ishte një mundësi e bukur, për gjithë koret pjesëmarrëse.”

Kori “Siparantum” ishte shpërblyer me çmimin “Honorable Mention” në edicionin e 15-të të “International Choir Contest Flanders”, por ata nuk e kishin dijeninë për botimin e CD-së e aq më pak për përfshirjen e tyre. Andaj këtë e konsiderojnë si surprizën më të mirë gjatë kësaj kohe.

“Kjo na erdhi si surpriza më e këndshme në këtë pandemi, një dhuratë e çmuar nga kompozitori me renome botërore, Jan Van der Roost, të cilit ne në këtë festival ia kemi interpretuar veprën e tij, premierë “Amor io fallo”, i cili pas përfundimit të festivalit në një prononcim të tij ka thënë fjalët më të mira për korin tonë” – tregon Kelmendi.

Një vepër e botuar, veçanërisht ato që kanë peshë ndërkombëtare, padyshim që zënë një vend të rëndësishëm në prezantimin dhe promovimin e kulturës sonë. Por, gjithashtu për të arritur suksesshëm deri te këto prezantime, duhet edhe një përkrahje financiare nga ana e shtetit e kori “Siparantum” ka kohë që përballet me këtë problem. Kori gjithashtu është duke bërë përpjekje për realizimin e një CD-je, që po e shohin si një zgjidhje për t’i përballuar problemet financiare.

“Ne tashmë e kemi dëshmuar dhe vazhdimisht po e dëshmojmë punën tonë, mendoj që institucionet tona shtetërore duhet të kenë kujdes të veçantë kur flasim për këtë fushë dhe promovimin e shtetit tonë në botë. Mbështetja të cilën ne marrim nga shteti është më minimalja e mundshme, prandaj të mendosh për shpenzimet e udhëtimit, akomodimit, ushqimit, vizës dhe mbi të gjitha për botimin e një CD-je, është e pamundur me përkrahje të tillë” – rrëfen ai.

Si pasojë e situatës së krijuar nga Covid-19 shumë aktivitete që ishin në agjendën e korit “Siparantum” janë anuluar e disa prej tyre janë shtyrë për 2020/2021.

Në këtë kohë, kori do të ishte në garën më të madhe të koreve botërore, “World Choir Games”, aty ku u selektuan për herë të parë në historinë e shtetit tonë, megjithatë World Choir Games është shtyrë për vitin e ardhshëm, e rëndësishme është që kori kosovar kanë siguruar pjesëmarrjen e tyre në dy kategori të koreve mikse.

Në muajin prill, “Siparantum” do të ishin pjesë e një festivali të rëndësishëm në Hungari, që tashmë është shtyrë për në shtator.

Ndërsa muaji nëntor pritet ta gjejë korin në Pragë, Çeki, festival për të cilin, do të na njoftojnë me kohë.

Krejt për fund, Memli Kelmendi shprehet i bindur se viti 2021, do të jetë vit i sukseseve kulminante të korit “Siparantum”.