MENU
klinika

Debat dhe tension në Kuvend

Ndryshohet sot Kushtetuta. A do të miratohet hapja e listave?

30.07.2020 - 09:45

Sot do të ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Prej orës 10:00 po zhvillohet seanca plenare në parlamentin e Shqipërisë me vetëm një pikë për diskutim, ndryshimin kushtetues për hapjen e listave dhe miratimin e formulës së re të koalicioneve, që të jenë me listë unike dhe jo sikur janë tani.

Por Partia Demokratike dhe partitë e tjera në koalicionin opozitar jashtë parlamentit e kundërshtojnë.

Selia blu pranon hapjen e listave, por jo ndryshimin e formulës së koalicioneve me argumentin se nëse partitë futen në një listë unike penalizohet opozita jashtë parlamentit. Por shumica dhe opozita parlamentare janë të vendosura për të miratuar ndryshimet. Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese më pas puna zhvendoset te Kodi Zgjedhor për të saktësuar dhe detajuar hapjen e listave dhe formulën e koalicioneve.

Në sallën e parlamentit të Shqipërisë nuk kanë munguar tensionet gjatë diskutimit për ndryshimet Kushtetuese. Në momentin që po fliste Korab Lita ka ndërhyrë Adriatik Alimadhi duke kundërshtuar nga vendi, ndërsa ka debatuar edhe me kolegët opozitarë. Kryetari i Kuvendit i tërhoqi vëmendjen.

Debati në sallën e Kuvendit

Korab Lita: Hapja e listave është në interes të qytetarëve, procedura ka kaluar të gjithë procedurën ligjore. Nisma ka marrë të gjithë kohën e duhur. Në 2008 kushtetuta u ndryshua brenda një dite pa asnjë diskutim, ndërkohë që ne kemi bërë diskutimet e nevojshme dhe sot jemi përpara qytetarëve për t’u kthyer sovranitetin e votës, pasi prej 3 palë zgjedhjes shqiptarët votonin si prej ’46. Tashmë me këto ndryshime do të hapet porta për diskutimet për Kodin Zgjedhor.

Ndërhyn Adriatik Alimadhi, debat në sallë

Korab Lita: Alimadhin dhe këdo dua ta siguroj sot, se sot hapet porta për të shkuar ….

Vijon debati në sallë

Korab Lita: Zoti kryetar do të vendosësh qetësi apo jo?

Gramoz Ruçi: Zoti Alimadhi për të disatën herë po të tërheq vëmendjen

Korab Lita: Zoti Alimadhi, të ftoj të mos trembesh nga ndryshimet kushtetuese

Gramoz Ruçi: Zoti Alimadhi po të jap vërejtje

Korab Lita: Zoti Alimadhi pas ndryshimeve hajde provoje sa të vlen lëkura pastaj

Gramoz Ruçi: Edhe njëherë po të tërheq vëmendjen zoti Alimadhi

Deputeti socialist Alket Hyseni tha nga foltorja e Kuvendit se me ndryshimet Kushtetuese vota e shqiptarëve do të jetë më të fortë, pasi nuk do të vendosin vetëm për kryetarin dhe siglën e partisë, por për deputetin që duan.

“Sot është një ditë e rëndësishme, do të ndryshohet Kushtetuta e Shqipërisë. Sot shqiptarëve do u japim një votë më të fortë se ajo që kishin. U ftuan të gjithë aktorët dhe faktorët që dinë për Kushtetutën, shoqëria civile dhe dhanë mendime të vyera që u pasqyruan. Drafti ka dy ndryshime, nenet 64 dhe 68, janë të thjeshta, i japin votës së shqiptarit sikur e ka merituar, nuk do të votojnë më vetëm për siglën dhe emrin e kryetarit, por do të kenë mundësi të zgjedhin emrin që mendojnë se është më i miri, që shkon deri në 100%. Ia lëmë kohës sa e thellë do të jetë kur të diskutojmë Kodin Zgjedhor”, tha ai.

Adriatik Alimadhi u shpreh kundër ndryshimeve Kushtetuese. Ai tha se në listën e deputetëve që kërkuan ndryshimet kushtetuese ka deputetë që kanë firmosur për të tjerë.

“Për disa deputetë ka firmosur një tjetër. Do të doja listën e atyre që kanë firmosur. 28 deputetët kanë firmosur, nuk kanë një ndërgjegjësim të saktë se për çfarë flitet për ndryshimet Kushtetuese. Do të bëja një apel, sidomos Murrizit”, tha ai.

Por Gramoz Ruçi ndërhyri duke i thënë se “Deputetët janë konkretë dhe jo abstraktë. Nuk keni pse anatemoni, nisma është tërësisht legjitime. Konsideratat janë të tuat shprehe përmes diskutimit dhe votës”.