Një kambist është grabitur mbrëmjen e sotme në Përrenjas, teksa kthehej në fshatin Katjel, ku ka banesën. Policia bën me dije se persona ende të pa identifikuar i kanë vjedhur një sasi lekësh.
Jo zyrtarisht thuhet se shuma e grabitur është rreth 40 mln lekë të vjetra, që kambisti i mbante në një çantë.
Policia ka shoqëruar tetë persona, por ende nuk janë arrestuar autorët e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 21:00, në fshatin Katjel, Prrenjas, persona ende të paidentifikuar dyshohet se i kanë vjedhur me dhunë një sasi lekësh shtetasit B.Sh., (kambist), banues në Prrenjas i cili ishte duke u kthyer për në banesën e tij.
Me marrjen e njoftimit shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Nga veprimet e menjëhershme janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Librazhd 8 persona për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën intensive për fiksimin e çdo prove të vlefshme që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë.
Ndërkohë vijon krehja e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli në drejtim të Pogradecit dhe Librazhdit.