Në konferencën e sotme për shtyp, përvec Armando Sadikut, ishte edhe prurja e re Qazim Laçi, për të cilin është grumbullimi i parë me Kombëtaren.
Mesfushori që aktivizohet me Ajaccio në Ligën e Dytë franceze thekson se ka shumë konkurrencë për të ardhur në Kombëtare, ndërsa shton se këtë çast ka vite që mezi e pret.
KONKURRENCA – “Shumë konkurrencë për të ardhur në Kombëtare. Niveli është rritur, pasi ka shumë lojtarë që luajnë në Europë. Luftohet për një vend. E njoh ekipin, e kam parë këto kohë. Me disa kam luajtur me Shqipërinë U-21 dhe e di si është konkurrenca.”
DEBUTIMI – “Do ishte krenari të luaj me Shqipërinë. Ka vite që e pres. Do ishte ndjenjë e mirë për mua. Kam luajtur me moshat dhe do ishte akoma më mirë të luaja me ekipin A. Kombëtarja të ndihmon shumë. E thashë që do të jetë krenari që të jem pjesë e këtij ekipi edhe në vijim”.
AJACCIO – “Nuk ishte diçka e mirë për ne, mund të ngjiteshim në Ligue 1. Federata franceze e anuloi kampionatin dhe nuk u ngjitëm në fund. Kishim shanse të ngjiteshim. Objektivi im është të luaj në elitë. Mundohem të arrij sa më lart”.