MENU
klinika

Liga e Kombeve

Lituania i jep “leksion” Shqipërisë në Tiranë

07.09.2020 - 21:44

Një ndeshje për t’u harruar e Shqipërisë ndaj Lituanisë, teksa brenda në “Air Albania” jemi mundur 0-1. Tri pikë të lëna ndaj një kundërshtari në letër i dobët, por që zhvilloi një sfidë të mirë. Të katër skuadrat e grupit tashmë kanë nga 4 pikë.

Shqipëria ka bërë një pjesë të parë të dobët ndaj Lituanisë, duke mos gjuajtur asnjëherë në kuadrat. Me fat që ky fraksion është mbyllur në barazim pa gola. Kjo pasi miqtë kanë rrezikuar dy herë, ku heroi ishte Thomas Strakosha me devijimet për në goditje këndi.

Kombëtarja jonë e nis mirë pjesën e dytë, por Gjasula kthen keq një top pas, Kazlauskas përfiton, driblon Strakoshën dhe Hysaj në fund që nuk arrin të largojë. Minuta 51’, 0-1 për Lituaninë.

Më pas tanët kërkojnë të dalin para, por mungon finalizimi. Reja ndërron Trashin për Roshin dhe Uzunin për Gjasulën. Në 66’, Manaj lëshon një predhë, pritje fantastike e portierit mik. Më pas dëmtohet Roshi dhe në fushë futet debutuesi Armando Broja.

Në fund janë lituanezët që mund të kishin shënuar golin e dytë. Për të ardhur në 87’, kur Hysaj merr kartonin e dytë të verdhë dhe lë ekipin me 10 vetë. E pafuqishme Shqipëria për të dalë para dhe për të shënuar, teksa edhe një barazim do të ishte mirë, por nuk ia del. Mbyllet 0-1.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN