Shqipëria mori një goditje të madhe mbrëmjen e djeshme. Lituania erdhi si skuadra më e dobët, por në fund arriti të gjunjëzojë kuqezinjtë, duke triumfuar 0-1, falë një gafe të Gjasulës dhe Kazlauskas në minutën e 50-të nuk e pati të vështirë të driblonte portierin Strakosha dhe të shënonte me portën e boshatisur.
Po pse humbi Shqipëria? Së pari, gjë të cilën e përmendi edhe trajneri Reja, ishte lodhja fizike dhe freskia e kundërshtarit. Së dyti, ndryshimet nga ndeshja me Bjellorusinë ishin të shumta që ndikuan direkt. Mihaj nuk shtyu aq sa duhet para, Laçi nuk e bëri dot rolin e Bares, teksa detyronte Sadikun të zbriste deri poshtë për të marrë topin.
Krahët funksionuan shumë pak dhe futbollistët ndjenë presionin e miqve. Së treti, kuqezinjtë u treguan paksa euforikë dhe morën lehtë ndeshjen dhe në momentin që u provokuan nga kundërshtari, u bënë nervozë dhe kjo u duk nga kartonët që morëm, sidomos Hysaj.
Mungoi edhe grinta, pavarësisht lodhjes. Dhe natyrisht ndikoi edhe fati i keq, jo vetëm në pësimin e golit, por edhe dëmtimi i Roshit i sapofutur, që mund t’i jepte impuls krahut të djathtë. Kundërshtari nuk vodhi gjë, fitoi një ndeshje zyrtare pas 4 vitesh, teksa kishte humbur 21 ndeshje dhe barazuar 3 që nga viti 2016.
Me pak fjalë, ndaj të vegjëlve, tregohemi edhe më të vegjël, ndodhi me Andorrën, më keq me Lituaninë, ka ardhur koha për të reflektuar. Nëse Kombëtarja shqiptare hyn në fushë me të tilla mendjemadhësi, atëherë gjithnjë do të ketë probleme.